13 organizata kërkojnë nga Kurti të anulojë menjëherë vendimin për t’i bojkotuar disa media

13 organizata kërkojnë nga Kurti të anulojë menjëherë vendimin për t’i bojkotuar disa media

16:33, 10/01/2025

Në një letër dërguar në adresë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave, së bashku me 12 organizata të tjerë për Media kanë kërkuar që partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje të shqyrtojë vendimin për të bojkotuar tre kanale të mëdha televizive në Kosovë.

Sipas tyre ky vendim i Lëvizjes Vetëvendosje i ka shqetësuar ata thellësisht, duke vlerësuar se ky është një model shqetësues “i rënies së lirisë së medias” në Kosovë.

“Gjatë katër viteve të fundit, si Përgjigjja e Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR), duke monitoruar nga afër zhvillimet në lirinë e medias, kemi vërejtur një rënie të konsiderueshme në Kosovë. Në vitin 2022, partnerët e Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve vizituan Kosovën për të vlerësuar gjendjen e lirisë së medias dhe mbrojtjen e gazetarëve. Ndërsa u vunë re disa përparime, misioni përfundoi se ‘retorika toksike dhe fushatat denigruese kundër mediave, financimi i pamjaftueshëm i transmetuesit publik dhe mungesa e transparencës rrezikojnë të minojnë përparimin’”, thuhet në letrën e dërguar Kurtit.

Kosova, sipas kësaj letre, ka nevojë urgjente për masa që mbrojnë lirinë e medias, promovojnë transparencën dhe sigurojnë llogaridhënien e zyrtarëve publikë.

“Publiku, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore, ka një të drejtë themelore për të pasur akses në informacione të ndryshme, për të shqyrtuar premtimet politike dhe për t’i kërkuar politikanëve llogari”.

Duke bojkotuar kanalet kryesore televizive, potencohet në letër, cenohet e drejta e publikut për informim dhe roli esencial i gazetarëve në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies.

“Prandaj, ju bëjmë thirrje të anuloni menjëherë vendimin për të bojkotuar këto media dhe të siguroni që Vetëvendosje t’i japë qasje të barabartë informacionit publik për këto media. Të gjithë gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirshëm dhe në mënyrë të drejtë gjatë periudhës zgjedhore”.

Mbrojtja e lirive së medias dhe e drejtës së publikut për një proces demokratik të informuar duhet të jenë prioritet, theksohet në letër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco