Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof, në intervistën për Zërin e Amerikës foli ndër të tjera edhe për kryetarin e PD-së Sali Berisha, i cili u shpall nga SHBA në vitin 2021 non grata.
Në vitin 2021 kur Berisha u shpall non grata ishte deputet. Tani më ai është kryetari zyrtar i PD-së.
Lidhur me këtë ndryshim të statusit të Berishës si edhe me ndryshimin e administratës në SHBA, zyrtari i lartë i DASH u pyet nëse Berishës do t’i hiqet masa non grata.
Zyrtari amerikan nuk ka dhënë asnjë përgjigje duke u treguar kështu i kujdesshëm dhe nuk e ka përjashtuar një vendim që mund të merret nga administrata e ardhshme republikane. Ndryshe nga herë të tjera që zyrtarë amerikanë ishin të prerë, ndryshe ka qenë qëndrimi i Kasanof.
Kasanof tha se nuk mund të flasë në emër të administratës që vjen në SHBA.
Intervista për VOA:
Zëri i Amerikës: Zoti Kasanof, ish-presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha u përcaktua nga Departamenti i Shtetit në vitin 2021 për korrupsion madhor. Në atë kohë ai ishte vetëm deputet, ndërsa tani është kryetar i partisë kryesore opozitare. A mund ta ndryshojë kjo marrëdhënien mes Uashingtonit dhe zotit Berisha?
Alexander Kasanof: Dëgjo, Armand, normalisht nuk flas për personat e përcaktuar dhe hollësitë e atyre rasteve. Ajo që do të doja të ritheksoja këtu është se Shtetet e Bashkuara i shohin përcaktimet si mjet i rëndësishëm për të ndihmuar reformat e sistemit të drejtësisë dhe ndjekjen e çështjeve anti-korrupsion dhe të krimit të organizuar. Këto mjete janë ndërtuar për të ndihmuar agjencitë vendase në terren, sidomos agjenci si SPAK-u, që të arrijnë misionin e tyre, por janë ndërtuar edhe për të ndihmuar përmirësimin e sundimit të ligjit dhe të reformave në vazhdim në sistemin e drejtësisë. Kjo është ajo që theksojmë. Dhe këtu do të mbetet theksi ynë dhe fokusi ynë i vazhduar.
Zëri i Amerikës: Megjithatë ka një pritshmëri të lartë në gjirin e opozitës, se administrata e re e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, mund të ketë një qasje të re ndaj zoti Berisha. Dhe ka zëra të opozitës që presin që përcaktimi “non grata” të mund të anullohet. A ekziston një mundësi e tillë?
Alexander Kasanof: Nuk mund të flas në emër të administratës që vjen. Do të ishte e pavend. Por, mund të ritheksoj për ju që në administratën e tanishme, ne do të vazhdojmë të fokusohemi tek këto reforma dhe të fokusohemi tek ndihma që institucione si SPAK-u të përmbushin misionin e tyre.
© SYRI.net
Dega e LDK-së në Pejë kërkon dorëheqjen e lidershipit pas rezultatit në zgjedhjet e 7 qershorit