Gazetari Gazmend Saiti, i ftuar sot në emisionin “Kafe Shqeto” me Flavio Qarri në SYRI TV, analizoi mbledhjen e përbashkët që pritet të ndodhë sot mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.
Ai theksoi se këto takime janë më shumë një spektakël mediatik sesa një përpjekje serioze për të zgjidhur problemet reale të popujve në të dy anët e kufirit. Sipas tij, marrëveshjet e firmosura deri tani kanë mbetur thjesht lajme në internet, pa asnjë rezultat konkret.
Ai vuri në dukje divergjencat mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit, që shpesh shfaqen në formë kunjash dhe deklaratash publike. Për Saitin, është e pakuptueshme pse këto procese shoqërohen me kaq shumë bujë, kur zbatimi i tyre është inekzistent.
Gazmend Saiti në KAFE SHQETO:
Të gjitha këto përgatitje janë për të bërë fotografi dhe për të dalë në TikTok të Edi Ramës dhe Albin Kurtit. Mirëpo, ato nuk u shërbejnë aspak popujve të të dyja anëve, por thjesht shërbejnë për t’u kapur të ndarë në kufi.
Sigurisht që këto marrëveshje, deri tani, të paktën siç kanë rezultuar, janë thjesht të kushtueshme për ceremoninë që krijojnë. Mirëpo, në realitet, sipas mendimit tim, deri tani nuk është arritur asgjë konkrete.
Duhet të kemi parasysh një gjë: në deklaratat e dy kryeministrave do të shikoni se do të ketë një divergjencë shumë të madhe mes tyre. Sigurisht, Rama do të hedhë kunjat e tij, ndërsa Albin Kurti do t’ia kthejë me të njëjtën monedhë, duke u përgjigjur në të njëjtën formë.
Kështu që, në këto kushte ku ndodhemi, e gjitha ajo që do të bëhet sot janë ato shqiponjat me duar ose simbolet e flamujve të bashkuar mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërsa pjesa tjetër, ajo që do të zbardhet të nesërmen, është gjithçka si më parë; nuk do të ndryshojë asgjë, ashtu siç nuk ka ndryshuar deri më tani. Jo vetëm me këtë qeveri, por me të gjitha qeveritë e mëparshme ka qenë i njëjti sistem: për fotografi, video, e të tjera. Mbledhjet e qeverive mund t’i shikoni vetëm në internet, ku janë bërë lajme, si në të kaluarën ashtu edhe tani. Por, në ato lajme ku janë zbardhur marrëveshjet e firmosura, të gjitha kanë mbetur vetëm si lajme dhe në realitet nuk është finalizuar asgjë.
Nuk e kuptoj pse duhet të impenjohen kaq shumë dhe pse duhet të bëhet me kaq bujë. Nuk do të ishte më e logjikshme që të dy kryeministrat dhe ministrat e tyre të shkonin, të firmosnin marrëveshjet në mënyrë të qetë dhe të fillonte zbatimi i tyre automatikisht, pa pasur nevojë për kaq shumë zhurmë?
© SYRI.net
Dega e LDK-së në Pejë kërkon dorëheqjen e lidershipit pas rezultatit në zgjedhjet e 7 qershorit