Në intervistën e tij në "Odeon", tenori i njohur Klodjan Kaçani shprehu një kritikë të fortë ndaj politikave kulturore dhe investimeve të mangëta në artin klasik në Shqipëri. Ai theksoi se mungesa e teatrove të tjera dhe e mundësive për rinovimin e profesionit të artistëve është një dëm i madh për brezat e rinj. "Çështja e prurjeve ndikon drejtpërdrejt në politikëbërjen e shtetit. Nëse një shtet nuk investon në kulturën klasike, do të kemi gjithmonë më pak njerëz të interesuar për të pasur një të ardhme në këtë fushë," tha ai.
Kaçani përmendi vështirësitë që ka hasur gjatë karrierës së tij, kur ka pasur kontrata të përkohshme dhe ka qenë i detyruar të luftojë për një vend pune në Teatrin e Operas, që nuk kishte mjaftueshëm mundësi për artistët. "Në vitin që konkurrova, pati shumë këngëtarë të rinj, por shumë pak arritën të vazhdonin profesionin për shkak të mungesës së vendeve të punës," shpjegoi ai.
Ai theksoi se i vetmi teatër operistik në Shqipëri nuk është i mjaftueshëm për t'i ofruar mundësi artistëve të rinj, të cilët shpesh janë të detyruar të largohen për një mundësi më të mirë jashtë vendit. "Pse duhet ta largojmë brezin e ri? Kushtet krijohen vetëm nga politika," u shpreh Kaçani.
Në përgjigje të pyetjes për mundësinë e krijimit të teatrove të tjera operistike, Kaçani e quajti këtë një nevojë urgjente. "Formula është kjo. Të krijohet teatër tjetër," tha ai, duke shtuar se zhvillimi i artit është i rëndësishëm për përparimin e shoqërisë. Ai theksoi se mungesa e mundësive për artin klasik në qytete të tjera të Shqipërisë është një humbje e madhe për të rinjtë që nuk kanë mundësi të shohin asnjë shfaqje operistike ose koncert simfonik.
© SYRI.net