KQZ: Ndërrimi i qendrës së votimit mund të bëhet deri më 26 dhjetor

KQZ: Ndërrimi i qendrës së votimit mund të bëhet deri më 26 dhjetor

16:19, 06/12/2024

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se ndërrimi i qendrës së votimit brenda komunës mund të bëhet deri më 26 dhjetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka sqaruar se ndërrimi i qendrës së votimit do të bëhet përmes platformës elektronike.

“Deri më 26 dhjetor 2024, çdo qytetar me të drejtë vote nëse dëshiron që ta ndërrojë Qendrën e Votimit brenda komunës dhe ta caktojë atë sa më afër vendbanimit të tij, mund ta bëjë përmes platformës elektronike: http://qv.kqz-ks.org ose duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve, në komunën përkatëse të votuesit”, ka thënë Elezi.

Ai ka treguar edhe hapat që duhet të ndiqen për ta ndërruar qendrën.

“Në platformën elektronike është e mjaftueshme që votuesi të shënojë numrin e tij të identifikimit dhe datëlindjen, dhe menjëherë do të shfaqen të dhënat për qendrën aktuale të votimit. Nëse votuesi dëshiron që ta ndërrojë qendrën e votimit brenda komunës, duke e caktuar atë sa më afër vendbanimit të tij, mund të paraqesë kërkesën e tij përmes kësaj platforme dhe pasi kërkesa do të shqyrtohet nga KQZ, brenda një kohe të shpejtë do të marrë përgjigje”.

Elezi ka shtuar se deri tani KQZ-ja ka pranuar afër 2 mijë e 500 kërkesa për ta ndërruar qendrën e votimit.

“Prej të cilat janë aprovuar 2 mijë e 400, ndërsa janë refuzuar 75 të tjera. Pjesa më e madhe e aplikimeve për ndërrimin e Qendrës së Votimit kanë ardhur përmes platformës elektronike qv.kqz-ks.org, 1,975 sosh dhe 500 të tjera në zyrat e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve”.

Po ashtu, KQZ-ja tashmë ka publikuar listën e qendrave të votimit për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt të 2025-së.

Tashmë partitë politike kanë nisur fushata parazgjedhore në disa vende të Kosovës dhe me diasporën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco