Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ndarë një pjesë nga adresimi në Këshillin e Përgjithshëm, ku u miratua lista e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Duke folur për renditjen e kandidatëve në listë, Abdixhiku tha se kjo nuk e përcakton peshën e rëndësinë e kandidatëve e aq më pak forcën partiake.
“Jam i bindur që secili prej kandidatëve meriton të jetë në renditjet e para. Por renditja eventuale nuk përcakton as peshën e juaj as rëndësinë që keni e edhe më pak forcën partiake. Ka një faktor të vetëm që e bën një gjë të tillë, i thonë votë qytetare. Ajo na jep fatin politik të gjithëve”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka rikujtuar se në zgjedhjet e fundit kishte numrin 11, derisa u është drejtuar kandidatëve duke thënë se “numri nuk ju bën juve, numrin e bëni vetë”.
Abdixhiku ka thënë se në Kosovë nuk ka vend për sulme ndaj drejtësisë e mediave e aparat shtetëror që përcjellë gazetarë.
“Në Republikën tonë, nuk ka vend për një apparat shtetëror, që përdorë shërbimet e inteligjencës për të përcjellë gazetarë. Në Republikën tonë nuk ka vend për atak institucional e parapolitik ndaj medias, nuk ka vend për mbyllje të mediave, nuk ka vend për sulme jetëkërcënuese ndaj gazetarëve e raportuesve të lirë të një shoqërie të lirë. Në Republikën tonë nuk ka vend për sulme ndaj drejtësisë, e kategorizim të saj varësisht se kë ka subjekt, përkrahës të pushtetit ose jo”, ka deklaruar Abdixhiku.
Tutje, ai ka përmendur shkeljen e Kushtetutës nga Qeveria aktuale.
“Në Republikën tonë, një Qeveri që shkelë Kushtetutën plot 10 herë duhet të rimendojë seriozisht intencat shqetësuese që i ka në vend e para vetës para se të akuzojë secalin përreth. Ne megjithatë betohemi në Kushtetutë. Ne veprojmë mbi Kushtetutë. Ne jetojmë mbi këtë Kushtetutë”, ka thënë tutje ai.
© SYRI.net