Maqedonci e Wallander diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë

Maqedonci e Wallander diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë

19:02, 04/12/2024

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të mërkurën ka takuar ndihmës-sekretaren e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Celeste Wallander, në margjinat e takimit ministerial të A5 SHBA-Kartës së Adriatikut.

Sipas një komunikate për media çështja kryesore e diskutuar gjatë takimit ka qenë situata e sigurisë në Kosovë, më konkretisht për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

“Gjithashtu me këtë rast znj. Wallander është informuar mbi zhvillimet e fundit në Forcën e Sigurisë bazuar në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit”, thuhet në komunikatë.

Gjatë takimit Wallander ka vlerësuar “lartë nivelin e bashkëpunimit të dyanshëm mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe janë dakorduar që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej”.

Më 29 nëntor rreth orë 19:00 një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Nga shpërthimi nuk ka pasur viktima, megjithatë dëmi material, sipas autoriteteve të Kosovës, ishte i madh, meqë ishte goditur infrastruktura kritike e Kosovës dhe një pjesë e vendit rrezikohej të mbetej pa ujë dhe energji elektrike.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar Serbinë për orkestrimin e këtij akti, i cili vlerësohet të jetë sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga përfundimi i luftës, krahas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë vitin e kaluar në Banjë të Zveçanit, në Veri të vendit, i cili ka cenuar paqen e brishtë në Ballkanin Perëndimor.

Serbia, nga ana tjetër, ka mohuar të ketë gisht në të dy rastet, duke theksuar se akuzat për pjesëmarrje në këto sulme janë të pabaza, ndonëse autoritetet kosovare kanë insistuar se kanë prova të mjaftueshme që implikojnë shtetin serb në sulmet e fundit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco