Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje nga takimet që ka zhvilluar me përfaqësues të Bashkimit Europian në Bruksel, më 03.12.2024.
Kurti ka vlerësuar se ka pasur një “takim produktiv” me presidentin e ri të Këshillit Europian, António Costa, ndërsa gjatë darkës së përbashkët me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka ngritur shqetësime në lidhje me sulmin e fundit në Ibër- Lepenc.
“Pata një takim produktiv me presidentin e ri të Këshillit Europian, António Costa. E përgëzova për rolin e ri dhe rikonfirmova përkushtimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me BE-në dhe avancimin e aspiratave tona për anëtarësim. Gjatë takimit tonë dypalësh dhe darkës së përbashkët me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Përfaqësuesen e Lartë, Kaja Kallas, dhe Komisioneren, Marta Kos, ngrita shqetësimet në lidhje me frikësimet dhe kërcënimet e vazhdueshme ndaj sigurisë sonë, duke përfshirë sulmin e fundit terrorist në infrastrukturën tonë kritike dhe bëra thirrje për llogaridhënie”- ka shkruar Kurti në rrjetin social X.
Sipas Kurtit, bashkëpunimi rajonal duhet të bazohet në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
“Bashkëpunimi rajonal duhet të bazohet në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të cilat kërkojnë njohje dhe respekt reciprok, llogaridhënie dhe një angazhim të përbashkët për paqen”- ka shtuar Kurti.
© SYRI.net