Nis protesta e SBAShK-ut në Prishtinë

Nis protesta e SBAShK-ut në Prishtinë

13:02, 04/12/2024

Disa punëtorë arsimorë tashmë janë mbledhur para objektit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, para se të nisin marshimin drejt Ministrisë së Arsimit e pastaj Qeverisë së Kosovës.

Kërkesat e SBAShK janë që të nënshkruhet Kontrata kolektive, draftin e të cilës e dorëzuan në Ministri të Arsimit më 02.10.2024.

Kërkojnë që të kenë rritje dinjitoze të pagave, përmirësim të kushteve të punës në institucione arsimore, dialog me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe të mos u mohohet kontributi i viteve të ‘90-ta.

Një ditë para kësaj proteste, përfaqësusit e SBAShK ishin ftuar në takim me ministren Nagavci dhe zyrtarë të tjerë të ministrisë.

Por për SBAShK, ky ishte një takim i shkurtër që nuk solli rezultate konkrete, pasi sipas Sindikatës, ministrja Nagavci nuk shfaqi gatishmëri për të diskutuar në mënyrë konkrete mbi kërkesat e tyre.

E Ministria e Arsimit tha se dokumentet dhe iniciativat për ndryshime legjislative duhet të trajtohen brenda kornizës ligjore, pasi çdo qasje e njëanshme mund të shkaktojë përçarje mes mësimdhënësve, të pengojë mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe të mos kontribuojë në “objektivin e përbashkët për rritjen e cilësisë në arsim”.

Për pagat e mësimdhënësve, Ministria tha se kjo është rregulluar me Ligjin për Pagat dhe se rritja e koeficientit përfshin edhe ata. Ndërsa, për kontratën kolektive u tha se diskutimi nuk duhet të jetë i njëanshëm dhe as i margjinalizuar.

SBAShK pretendoi se Ministria e Arsimit i ka larguar disa përfaqësues të punëtorëve të arsimit nga disa komisione të ndryshme të ministrisë. Në mesin e këtyre komisioneve, SBAShK-u përmendi në konferencën për media një anëtar të Këshillit Shtetëror për licensimin e mësimdhënësve që pretendon se e larguan nga ky këshill.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco