'Strategji e sponsorizuar nga Serbia'/ Nesho: Sulmi në veri, sinjal i politikave revizioniste të serbe

17:02, 01/12/2024

Sulmi terrorist në veri të Kosovës ka ngjallur reagime të shumta në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke vënë theksin te tensionet e vazhdueshme në rajon. Ish-ambasadori shqiptar në SHBA, Agim Nesho, ka analizuar këtë ngjarje në një intervistë për SYRI TV me moderatorin Arnold Karriqi.

Sipas tij, sulmi është një akt i mirëorganizuar, i sponsorizuar nga Serbia, dhe pasqyron strategjinë e saj afatgjatë për dominim në Ballkan. Nesho ka theksuar paralelizmin midis “hapësirave serbe” dhe “hapësirave ruse”, duke sugjeruar një politikë ekspansioniste të ngjashme.

Ai ka adresuar gjithashtu rolin e politikave të brendshme shqiptare, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për bashkëpunim me Vuçiqin në projekte që dëmtojnë interesat shqiptare. Në këtë kontekst, Nesho e konsideron këtë ngjarje si pjesë të një plani të gjerë për destabilizim rajonal.

'Kjo është një ngjarje terroriste e sponsorizuar nga Serbia. Ne e kemi thënë edhe më parë që këto janë momentet kur Serbia kërkon të shtrijë influencat e saj dhe nuk e bën këtë pa asnjë arsye. Ajo ka një strategji tashmë të konsoliduar, një strategji të cilën e ka kaluar edhe në parlamentet e saj. Flitet për “hapësirat serbe”, njësoj si “hapësirat ruse”, dhe momenti më i përshtatshëm për ta realizuar këtë gjë është pikërisht në ndryshimin e administratave amerikane.

Prandaj, një sulm i tillë terrorist ishte i pritshëm, sidomos duke ditur ambiciet e Serbisë dhe politikat e saj revizioniste për të pasur një rol dominues në Ballkan. Kjo ngjarje nuk ka ndodhur rastësisht. Kemi parë më parë hedhjen e granatave në stacionet e policisë, djegien e makinave të ndryshme; pra, incidente të vogla, por të përsëritura.

Rama është një nga ata arkitektët, bashkë me Vuçiqin, për ndryshimin e kufijve dhe për nismën e “Ballkanit të Hapur”. Ai ka rivalizuar në mënyrë të hapur edhe interesat evropiane.

Rama tani është tepër i kujdesshëm. Ai e kupton që politika dhe bashkëveprimi i tij me të ashtuquajturin “vëlla të ngushtë” të projekteve serbo-ruse, Vuçiqin, po diskretitohen. Edhe pse shfaq një gjuhë më të moderuar, kur vjen puna për një sulm terrorist, ai përpiqet ta paraqesë veten si i moderuar, gjithmonë nën ombrellën se “ne duhet të shikojmë nga e ardhmja dhe jo nga e shkuara”. Por dihet që “e ardhmja” e nacionalistëve serbë është të copëtojnë tokat shqiptare dhe të dëmtojnë interesat e kombit tonë.'- u shpreh Nesho.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco