Pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në komunën e Zubin Potokut, IKSHPK, respektivisht Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Mitrovicë, në bashkëpunim me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” kanë marrë mostrat e ujit të patrajtuar për të kryer analizat e nevojshme.
Sipas analizave të para, të kryera në ujin e patrajtuar, uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit nuk është për momentin i pastër për pije.
Kështu ka bërë të ditur përmes një njoftimi Ministria e Shëndetësisë.
“Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK sigurojnë qytetarët që janë duke u ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që uji që përdoret në zonat e prekura nga pasojat e shpërthimit t’i përmbushë standardet e lejuara”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, të premten është sulmuar infrastruktura kritike e kanalit të ujit “Ibër Lepenci” në Zubin Potok, ku janë shkaktuar dëme serioze.
Pas sulmit, në veri janë shtuar masat e sigurisë, ndërsa policia po vazhdon me aksionin për kapjen dhe identifikimin e autorëve të këtij sulmi.
© SYRI.net