Filmimet e vrasjes së Martin Canit/ Policia i bën alibinë autorit të krimit

Filmimet e vrasjes së Martin Canit/ Policia i bën alibinë autorit të krimit

09:06, 29/11/2024

Të gjendur nën presionin e opinionit publik për manipulimin e vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, drejtues të Policisë së Shtetit dhe Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha kanë shtuar presionin ndaj kujtdo që ka ngritur zëri për fshehjen e një bashkëpuntori në krim.

Deklaratat, që dukshëm kanë qenë të koordinuara me njëra-tjetrën, vijnë në një moment kur prindër të nxënësve të shkollës Fan Noli, qytetarë të shqetësuar për situatën në shkolla, por edhe disa elementë të opozitës dolën në protestë për të kërkuar një menaxhim më të mirë të sigurisë dhe rendit.

Në këto protesta kanë marrë pjesë edhe prindër dhe familjarë të viktimës, Martin Canit që kanë falenderuar qytetarët për solidaritetin.

Si në media, ashtu edhe në protestat qytetare, është këmbëngulur që të bëhet drejtësi për Martin Canit.

Dyshimet u shfaqën kur shoku i viktimës, Luis Meçe, i mbijetuar nga sulmi me thika, dha një version tjetër të ngjarjes, nga ai që kishte policia. Sipas fëmijës së plagosur, në krim morën pjesë tre persona, mes tyre një i rritur dhe një tjetër bashkëmoshatar, përveç të arrestuarit M.Përlleshi. Ky djalë tjetër është identifikuar si K.Bekaj dhe sipas Luis Meçes ai ka qëlluar me thika.

“Di që është bashkëmoshatar i jonë. Unë dua të vinë e të bëjnë ekspertizën mjekoligjore për ta kuptuar të gjithë që kam plagë nga dy thika të ndryshme,” ka thënë Luis Meçe.

Këtë version e përforcoi edhe babai i tij kur u shpreh se policia dhe prokuroria po e mbajnë të fshehtë autorin tjetër të krimit.

“Djali i ka parë që janë dy veta. Personi i parë që e ka goditur djalin me thikë pas shpine është djali me emrin K. B, bashkëmoshatar dhe shok i autorit. K. B e ka pasur thikën më të vogël, distanca e thikës mund të jetë rreth 10-12 cm. I kam dhënë këto dëshmi te Drejtoria e Policisë. Djali K. e ka goditur i pari në shpatull djalin tim, dhe plaga në shpatull është më shkurtër dhe më e ngushtë se sa plaga që ka marrë në bark. Herën e dytë e ka goditur ky djali që është kapur M. dy herë dhe në fund pastaj e kanë goditur të dy. Se djali ka ikur i fundit pasi ka parë Martinin të rrëzuar në tokë, e ka ngritur dhe i ka thënë çohu se paskan thikë. Në atë moment iu janë hedhur të dy djalit, K. e ka goditur në krah dhe në ije. Kurse tjetri i ka rënë më thikën e madhe tek gjoksi, djali e ka shtyrë me duar dhe nuk është shumë plagë e madhe”, ka thënë Fiqiri Meçe.

Pavarësisht se dyshimet hidhen nga protagonisti i ngjarjes, siç është 14 vjeçari Luis Meçe dhe babai i tij, policia ka një reagim të çoroditur mbi mediat që i fajëson për lajme të rreme dhe gënjeshtra nga ata që i quan “burime të hapura” që duan të bëjnë një “lojë të pajustifikueshme me ndjenjat e publikut”. 

Në sulm është hedhur edhe ministri Ervin Hoxha, që me një fjalor të ashpër ka folur për helmim të opinionit publik për një “autor të dytë të vrasjes” si një “prodhim të papërgjegjshmërisë mediatike”.

Si të ishte duke folur nga zyra e partisë, Hoxha pastaj e politizon çështjen kur flet për “të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet”.

Megjithëse të dyja qëndrimet kalojnë në halucinacionet e një lufte politike dhe mediatike, ato janë të qarta dhe japin detaje mbi një alibi të dobishme për të arrestuarin e vetëm të ngjarjes, Mario Përlleshi. Mënyra se si e përshkruan policia momentin kur qëllohet viktima Martin Cani dhe shoku i tij Luis Meçe me thikë, është shumë i saktë dhe nuk lë vend për dyshime.

“Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit”, thotë policia.

Ky version i ngjarjes i mbështetur nga ministri Ervin Hoxha e përmbys panoramën e deritanishme, në të cilën autori i krimit Mario Përlleshi dhe miku i tij K.Bekaj ishin agresorët.

Ndërsa Bekaj del krejtësisht pa faj, policia përshkruan nga filmimet e kamerave një version që e lehtëson situatën për autorin e krimit dhe qëndron si një ndihmë e vyer e alibisë së tij.

Nëse kjo dinamikë e ngjarjes është i vërtetë, kuptohet se situata e të arrestuarit M.Përlleshi bëhet më e lehtë dhe do të rezultonte se pretendimet e Luis Meçes dhe babait të tij Fiqiri Meçe për një autor të dytë janë gënjeshtra.

Policia dhe Ministri i Brendshëm e theksojnë se ky version i ngjarjes mbështetet në materialet filmike të kamerave të sigurisë, por këto nuk mund të publikohen sepse janë sekret hetimor. Qytetarëve dhe mediave u kërkohet të besojnë verbërisht fjalën e Ilir Prodës dhe Ervin Hoxhës.

Çështja është që e kundërta është provuar në të shkuarën, (rasti i Klodian Rashës) kur Policia e Shtetit veproi si një bandë kriminale në përpjekje për të fshehur provat e vrasjes së një djali të pafajshëm. Po aq, është luajtur me pamjet e kamerave të sigurisë nga qeveria në raste të tjera, kur vetë kryeministri ka dalë garant për atë që tregojnë filmimet e kamerave të sigurisë (rasti i kërcënimit të Emiljano Nuhut).

Prandaj, askush nuk beson më në fjalën e drejtuesve të policisë e aq më pak të politikës. Në rastin e vrasjes së Martin Canit, si mediat ashtu edhe qytetarët janë të prirur të besojnë zërin e shokut të tij që është në spital me 4 plagë në trup dhe vetëm publikimi i pamjeve filmike do ta zbuste disi krisjen e besimit tek institucionet e sigurisë. /Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco