Kryeshefi i “Pastrimit”: Përparim Rama dhe Bekim Brestovci po synojnë falimentimin e ndërmarrjes, po rrezikojnë qindra vende pune

Kryeshefi i “Pastrimit”: Përparim Rama dhe Bekim Brestovci po synojnë falimentimin e ndërmarrjes, po rrezikojnë qindra vende pune

22:00, 19/11/2024

Kryeshefi i KRU “Pastrimit”, Petrit Reçica, ka reaguar pasi Komuna e Prishtinës ka shpallur tender në vlerë mbi 16 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

Sipas Reçicës, Kryetari i Komunës, Përparim Rama dhe Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, po marrin hapa që çojnë drejt falimentimit të kompanisë publike “Pastrimi” dhe se po rrezikojnë vendet e punës të 900 punëtorëve.

“Me publikimin për kontraktimin e kompanive private për mbledhjen e mbeturinave në 6 llote për vlerën 16.5 milionë euro Komuna e Prishtinës po bën një hap të qartë drejt margjinalizimit të Ndërmarrjes Publike Rajonale KRM “Pastrimi,” duke rrezikuar drejtpërdrejt qëndrueshmërinë e saj. Kjo ndërmarrje, me 900 punëtorë në nivel rajonal, prej të cilëve 300 në Prishtinë, është një shtyllë e rëndësishme e shërbimeve publike për qytetarët. Me këtë veprim po tentohet të shpenzohen 16.5 milionë euro vetëm në shërbim me 0 investime kapitale, çka nënkuptohet që Kryeqyteti pas skadimit të kontratës do të kthehej në pikën zero sa i përket trajtimit të mbeturinave”, thuhet në reagim.

Nga kjo ndërmarrje i kanë bërë thirrje Ramës që të anulojë këtë tender.

“Vendimet e Komunës duket se synojnë falimentimin e KRM Pastrimi dhe privatizimin e shërbimeve thelbësore për qytetarët, duke minuar parimet e menaxhimit transparent dhe efektiv të mbeturinave. I bëjmë thirrje Kryetarit të Komunës Përparim Rama, që të ndalojë këto veprime të papërgjegjshme që rrezikojnë qindra vende pune dhe të rikthejë fokusin te mbrojtja e interesit publik. Gjithashtu, kërkojmë një qasje të drejtë për mbështetjen e KRM “Pastrimi”, si një ndërmarrje publike rajonale me më shumë se 67 vite ekzistencë dhe e cila ka shërbyer me përkushtim për vite me radhë”, thuhet në reagim

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco