Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar pas skandalit të 100 mijë eurove me subvencione, që iu dhanë vëllait të Fitore Pacollit në formë granti, si dhe këshilltarit të tij të jashtëm, Naim Huruglicës, po me vlerë të njëjtë.
Në një reagim të bërë në Facebook, Peci ka thënë se nuk mund ta “ndalin as me ujë e as me plumba”, ndërsa i ka quajtur shpifje e akuza ato që janë publikuar në media këto ditë.
Sipas tij, sulmi është nisu nga PDK-ja, ndërsa LDK-ja “e bitisi” dhe në fund PDK-ja po kërkon shkarkime, teksa ju thotë edhe “kriminela”.
Ministri Peci thotë se deri tani ka treguar etikë dhe tani e tutje do t’i demaskojë opozitën si asnjëherë tjetër.
Ai thotë se ai po sulmohet qëllimshëm pasi ka ndryshim radikal në sektorin e bujqësisë.
“Nëse deri tash kam treguar etikë në të shprehur, nga tash e tutje do flas më hapur se asnjëherë tjetër e do t’iu demaskoj si kurrë më parë! Secili sulm i juaji është i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë e ndryshimi është aq radikal sa që vështirë është të përpihet nga ju! Bile ky ndryshim radikal ju tmerron sepse nuk mund ta imagjinoni që instalacioni kleptomaniak i qeverisjes suaj më nuk ekziston. Është përtej realitetit tuaj meritokracia si bazë e parim! Andaj, durim horra se nga nesër, çdo ditë do ta shpërfaqi pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra”, ka shkruar Peci.
PDK-ja sot përmes një konference për media, kërkoi shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, si dhe shkarkimin e deputetes, Fitore Pacolli, e poashtu edhe nisjen e hetimeve ndaj këtij skandali me 100 mijë euro të subvencioneve në këtë ministri.
Ministria e Pecit ia kishte ndarë një grant prej 100 mijë eurove, vëllait të Fitore Pacollit të VV-së, Blerim Pacollit. Kontrata me firmën e tij “Alda Farm Ria”, është nënshkruar me 16 korrik, a firma ishte hapur veç 4 ditë ma herët, me 12 korrik.

Krahas kësaj 100 mijëshe, sot doli edhe një tjetër, por kësaj radhe për këshilltarin e tij, Naim Huruglicën.
© SYRI.net