Donald Trump cakton drejtor të CIA-s një mbështetës të madh të Kosovës

Donald Trump cakton drejtor të CIA-s një mbështetës të madh të Kosovës

09:36, 13/11/2024

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka caktuar John Ratcliffe si drejtorin e ri të CIA-s, njeriun që njihet për mbështetjen e madhe që i ka dhënë çështjes së Kosovës.

Ratcliffe shërbeu si drejtor i inteligjencës kombëtare në muajt e fundit të mandatit të parë të Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke udhëhequr agjencitë amerikane të spiunazhit gjatë pandemisë COVID-19, teksa Qeveria e SHBA-së luftonte “shërbimet e huaja” që po ndërhynin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Zgjedhjen e tij tani duhet ta konfirmojë Senati – që gjithashtu kontrollohet nga republikanët.

KOHA në vitin 2019 pati shkruar për lidhjet e forta të Ratcliffes me komunitetin shqiptar në SHBA dhe mbështetjen që i ka dhënë Pavarësisë së Kosovës dhe çështjes shqiptare në Ballkan.

Në vitin 2016, Ratcliffe mori pjesë në Forumin Ekonomik Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare, ku mbajti edhe një fjalim – i organizuar nga rrjeti shqiptaro-amerikan.

Drejtori që pritet ta udhëheqë shërbimin e inteligjencës amerikane gjithashtu ka pasur takime me zyrtarë nga Kosova./KOHA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco