Në gusht, Grenell kritikoi ashpër Kurtin në rrjetet sociale, duke theksuar se “Kurti është problem”.
Pavarësisht kësaj, kryeministri aktual, Albin Kurti e uroi Trumpin për fitoren duke thënë se mezi pret “të punojmë së bashku për përparim dhe paqe“.
Edhe liderë të partive opozitare në Kosovë e kanë uruar Trumpin për fitoren në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Mandati i dytë, “pozitiv ose shumë negativ”
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, profesori Afrim Hoti nga Universiteti i Prishtinës e konsideron zgjedhjen e Donald Trumpit president të SHBA-së si një zhvillim pozitiv për Kosovën dhe Ballkanin.
Hoti beson se administrata e Trumpit mund të sjellë energji të reja në marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën dhe rajonin.
“Unë dua të besoj se kushdo që i udhëheq institucionet e Kosovës duhet të jetë i vetëdijshëm se ka pak rëndësi fakti se kush e udhëheq Shtëpinë e Bardhë. Pra, cila administratë udhëheq SHBA-në, sepse si me njërën, ashtu edhe me tjetrën, institucionet tona kanë pasur raporte të ngushta”.
Hoti, gjithashtu, shton se Kosova duhet të forcojë përpjekjet e lobimit me SHBA-në për të ruajtur këtë marrëdhënie të rëndësishme, pasi sipas tij ky lobim është rritur shumë në Serbi.
“Tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë serbët janë në ofensivë, ata po lobojnë me të madhe. Përfundimisht, institucionet tona duhet të jenë të vetëdijshëm për këto veprime dhe ta ripozicionojnë vendin karshi SHBA-së”, thotë Hoti.
Në anën tjetër, Toby Vogel parashikon se Ballkani nuk do të jetë shumë lart në agjendën e Trumpit, por beson se çfarëdo ndikimi që administrata e tij do të ketë në rajon, “nuk do të jetë pozitiv”.
Më konkretisht, ai përmend mundësinë e ringjalljes së skemës së “këmbimit të territoreve,” ku Serbia mund të aneksojë veriun e Kosovës dhe që, sipas tij, nuk mund të përfundojë paqësisht.
“Evropianët nuk janë të gatshëm ta kundërshtojnë këtë – në fakt, herën e fundit kur u diskutua seriozisht kjo ide ishte nën iniciativën e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe më pas u mor nga administrata e Trump”, thotë Vogel.
Përveç kësaj, ai paralajmëroi se kryeministri kosovar, Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, mund të përpiqen të krijojnë “fakte në terren,” veçanërisht në veri të Kosovës dhe se “Kurti mund të ndihet i detyruar të veprojë para inaugurimit të Trumpit dhe zgjedhjeve në Kosovë në shkurt”.
Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe ka qenë në vazhdimësi vatër e tensioneve në Kosovë meqë në atë zonë kundërshtohet pavarësia e Kosovës. Një sulm i fundit i armatosur në shtator të vitit 2023, la të vrarë një polic të Kosovës.
Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte ndër të parët në rajon që ia uroi fitoren Trumpit, dhe rezultatit zgjedhor iu gëzuan edhe qytetarë serbë në veri të Kosovës./rel
© SYRI.net