Kosovarët me gjendje të rënduar psikologjike

Kosovarët me gjendje të rënduar psikologjike

17:52, 24/10/2024

Shoqata e Psikologëve të Kosovës ka dorëzuar sot rekomandimet në Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me gjendjen e rënduar psikologjike dhe mendore të popullatës, si dhe rritjen e fenomeneve negative që po ndikojnë në shëndetin mendor.

Këto rekomandime dolën në kuadër të Kongresit të gjashtë Ndërkombëtar “Shëndeti Mendor, Sfidat dhe e Ardhmja," i mbajtur më 10-11 tetor 2024 në Prishtinë, organizuar nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës. Këto rekomandime synojnë të përmirësojnë drejtpërdrejt mirëqenien e popullatës, raporton Syri.net.

Gjashtë rekomandime të bazuara pastaj në secilën prej tyre janë përfshirë dhe propozime për rritjen e ndikimit për të ndërmarrë hapat konkret për shëndetin mendor.

Aty parashihet sistemimi i psikologëve nëpër klinika, QKMF, sisteme tërësorë, shkolla, fushata sensibilizuse por edhe trajnime të stafit arsimorë.

Për më shumë ju ftojmë të lexoni gjitha rekomandimet e dala nga Kongresi të cilat sot i ka në dorë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Rritja e kapaciteteve për punësimin e psikologëve në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor

  • Në sistemin parësor (QKMF-të): Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Kosovës, të angazhojë psikologë klinikë nëpër QKMF-të (Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare) për të siguruar mbulimin e nevojave për shërbime psikologjike dhe kështu të kete psikolog në çdo Qender Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në çdo komunë. Këta profesionistë do të ndihmojnë në adresimin e çështjeve të shëndetit mendor. Te gjitha QKMF-të duhet të kenë minimum nga 1 psikolog klinik per identifikimin dhe trajtimin e këtyre problemeve.
  • Në sistemin dytësor (spitalet rajonale): Spitalet rajonale duhet të kenë ekipe të psikologëve klinikë për të ofruar kujdesin psikologjik për klientet me nevoje, përfshirë ata që trajtohen për sëmundje fizike kronike me ndikim në shëndetin mendor. Psikologët klinikë në këto spitale duhet të bashkëpunojnë ngushtë me mjekët për të siguruar trajtim të integruar.
  • Në sistemin tretësor: Spitalet universitare duhet të krijojnë departamente të dedikuara për shëndetin mendor, ku psikologët klinikë të kualifikuar do të trajtojnë raste të rënda të çrregullimeve mendore dhe të ofrojnë trajtim afatgjatë për klientet me nevoja komplekse.

Përfshirja e psikologëve në sistemin arsimor në të gjitha nivelet

  • Psikologë në çdo shkollë: Çdo shkollë fillore dhe e mesme duhet të ketë psikolog të dedikuar për mbështetjen e nxënësve. Ministria e Arsimit duhet të vendosë si detyrim përfshirjen e të paktën një psikolog në çdo shkollë, për të ofruar mbështetje ndaj nxënësve që përballen me vështirësi psikosociale, si probleme emocionale, stres, ankth dhe incidente të dhunës brenda shkollave.
  • Trajnime për mësimdhënësit: Organizimi i trajnimeve të përhershme për mësimdhënësit dhe stafin arsimor për të identifikuar dhe ndërhyrë në mënyrë të hershme në çështjet e shëndetit mendor tek nxënësit. Këto trajnime duhet të përfshijnë mësimin e aftësive për të reaguar dhe referuar rastet tek psikologët e shkollave.

Fushata ndërgjegjësimi dhe edukimi mbi shëndetin mendor për popullatën

  • Fushata kombëtare për ndërgjegjësim: Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me institucionet relevante dhe organizatat e shoqërisë civile, duhet të organizojë fushata të fuqishme për të zvogëluar stigmat që lidhen me kërkimin e ndihmës psikologjike. Këto fushata duhet të inkurajojnë qytetarët të kërkojnë ndihmë në kohë, duke theksuar rëndësinë e shëndetit mendor në mirëqenien e përgjithshme.

Krijimi i qendrave të rehabilitimit dhe mbështetjes për shëndetin mendor në çdo rajon

  • Qendra për shëndetin mendor në çdo qender rajonale të dedikuara për trajtimin e çështjeve të shëndetit mendor. Këto qendra do të ofrojnë trajtim profesional për klientet me çrregullime të rëndësishme mendore dhe do të integrojnë shërbime për kujdes mendor, rehabilitim dhe mbështetje afatgjatë.

Rritja e investimeve për edukimin dhe financimin e psikologëve

  • Financimi për edukimin dhe rritjen e numrit te psikologëve të rinj: Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit duhet të rrisin fondet për arsimimin e psikologëve të rinj, veçanërisht në fushën e psikologjisë klinike dhe shëndetit mendor, me qëllim të shtimit të numrit të psikologëve të kualifikuar në Kosovë.
  • Paga konkurruese dhe kushte të përmirësuara pune: Sigurimi i pagave konkurruese dhe përmirësimi i kushteve të punës për psikologët në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor dhe arsimor, për të garantuar mbajtjen dhe tërheqjen e profesionistëve të kualifikuar.
  • Mbështetje psikologjike për popullatën në krizë dhe linjat emergjente për ndihmë
  • Linja emergjente 24/7: Vendosja e një linje emergjente 24/7 për ndihmë psikologjike, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile dhe spitalet rajonale. Kjo linjë do të ofrojë mundësi për mbështetje të menjëhershme për qytetarët që përballen me krizë emocionale ose dhunë.

Zhvillimi i politikave dhe monitorimi i zbatimit të shërbimeve psikologjike

  • Rishikimi dhe përmirësimi i kuadrit ligjor për shëndetin mendor: Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me ministritë e tjera dhe Asociacionin e Komunave, duhet të rishikojë politikat ekzistuese dhe të përmirësojë legjislacionin për të garantuar që shërbimet psikologjike të jenë pjesë integrale e kujdesit shëndetësor dhe arsimit. Kjo përfshin standardizimin e shërbimeve të ofruara në çdo nivel për të siguruar cilësi dhe akses të barabartë për të gjithë.
  • Raportim i rregullt dhe monitorim i cilësisë së shërbimeve: Duhet të krijohen mekanizma për monitorimin periodik të cilësisë së shërbimeve psikologjike dhe shëndetit mendor në nivel kombëtar dhe lokal. Këto mekanizma do të ndihmojnë në identifikimin e dobësive dhe në marrjen e masave për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve, duke siguruar kështu një kujdes më të mirë për individët që kërkojnë ndihmë.
  •  

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco