Zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 9 shkurt 2025. Kështu ka vendosur Presidentja Vjosa Osmani, me Dekretin që ka shpallur dje.
“Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në përputhje me këtë Dekret dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në dekret.
Opozita kishte propozuar 26 janarin, e Vetëvendosje 2 shkurtin, por presidentja vendosi për datën 9 shkurt 2025.
Pas shpalljes së datës së zgjedhjeve kanë reaguar krerët e partive opozitare.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shkroi “Le të bëhemi bashkë!”.
“ Më 9 shkurt, le të ringritemi si një! [✌️] ”, thuhet në postimin e Abdixhikut.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se 9 shkurti 2025, është data kur do të ikë një qeveri e papërgjegjshme.
“Edhe pse si PDK kishim kërkuar që data e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të jetë 26 janari i vitit të ardhshëm, sot Presidentja e Kosovës ka dekretuar 9 shkurtin 2025 si datë kur qytetarët duhet t’u drejtohen kutive të votimit”.
“Për ne kjo shtyrje është e panevojshme, por tashmë kjo ka pak rëndësi. Mbi të gjitha, e rëndësishme është se tani kemi një datë, e cila do të shënojë ikjen e një qeverie të papëregjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën”.
“Siç na e dëshmon edhe historia, me PDK-në dhe Bedriun në timon, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë. Është koha që të bëhemi bashkë edhe një herë për Kosovën që e ëndërrojmë të gjithë”, ka shkruar Krasniqi.
Pas shpalljes së 9 shkurtit si datë e zgjedhjeve parlamentare ka reaguar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai nëpërmjet një mesazhi ku ka folur edhe në emër të partnerëve të tij të koalicionit ka thënë se po vjen koha e ndryshimit.
“Aleancë, Nismë, Konservatorë, Intelektualë, Diasporë dhe gjithë ju qytetarë të Kosovës, po vjen koha e ndryshimit. Po vjen koha e bashkimit.
Ta rikthejmë Kosovën në mesin e shteteve normale! Drejt fitores me 9 shkurt 2025!”, ka shkruar Haradinaj.
Presidentja ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në përputhje me këtë Dekret dhe legjislacionin në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
© SYRI.net