Statovci: Kosova ka përmbushur kriteret për KiE, asociacioni nuk ka qenë kushtëzim

Statovci: Kosova ka përmbushur kriteret për KiE, asociacioni nuk ka qenë kushtëzim

20:17, 07/05/2024

Deputetja Jeta Statovci ka vlerësuar se që nga fillimi, masat e BE-së ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta.

Sipas Statovcit, në raportet ndërkombëtare Kosova vazhdimisht i ka prirë nivelit të demokracisë, teksa BE-ja zakonisht masa ka vënë ndaj shteteve që kanë pasur zbehje të demokracisë.

Në “InfoMagazine” në KlanKosova ajo tha se institucionet e Republikës së Kosovës kanë ofruar të gjithë mekanizmin demokratik për qytetarët në veri, përfshirë mundësinë dhe mbajtjen e zgjedhjeve, peticionet, e kështu me radhë.

“Unë besoj që ne kemi qenë mjaft konstruktiv në këtë proces. Ne i kemi thënë “Po” planit franko-gjerman, që në fillim ishte si plan i Francës dhe Gjermanisë, pastaj u bë plan evropian, që iu prezentua institucioneve tona dhe ka marrë mbështetjen tonë. Ne gjithashtu kemi pajtuar edhe me akte ose dokumente tjera përcjellëse që kanë të bëjnë me procesin e sekuencimit dhe besoj që pozicioni jonë ka qenë korrekt, si në raport me bashkësinë ndërkombëtare, si në raport me interesin e përgjithshëm që të ecet tutje drejt këtij procesi dhe një normalizimi të përgjithshëm” tha Statovci.

Statovci shtoi se raporti për Kosovën i është prezantuar Asamblesë Parlamentare të KiE-së dhe aty u theksua se nuk ka pasur asnjë shtet tjetër që i janë kërkuar më shumë gjëra sesa Kosovës.

“Është thënë eksplicit që Kosova, në kuadër të raportit, i ka përmbushur të gjitha kriteret e saj, në mënyrë që qytetarëve të Republikës së Kosovës t’u jepet mundësia që çështjet në raport me të drejtat e tyre të kenë mundësi t’i raportojnë edhe në instanca më të larta”.

Ajo deklaroi se nuk u është thënë institucioneve që ka një kusht tjetër të radhës, përfshirë këtu dhe asociacionin, që “deri më tani asnjëherë nuk është prezantuar si kushtëzim.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco