Prokuroria kërkon nga Apeli ashpërsimin e dënimit për tre të akuzuarit për shitblerje të armëve

Prokuroria kërkon nga Apeli ashpërsimin e dënimit për tre të akuzuarit për shitblerje të armëve

14:01, 26/05/2023

Prokuroria Speciale, të premten, ka kërkuar nga Gjykata e Apelit dënim më të ashpër me burg dhe me gjobë ndaj Shpëtim, Besim dhe Fehmi Begolli të akuzuar për veprën penale krim të organizuar dhe për Importi, Eksporti, Furnizimi, Transporti, Prodhimi, Këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e pa autorizuar e armëve apo materialeve plasëse.

Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë më 23 janar 2023, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve duke i dënuar 3 vite e 8 muaj burg dhe 2 mijë euro gjobë ndaj tre të akuzuarve për shitblerje të armëve

Kundër këtij aktgjykimi kanë parashtruar ankesë Prokuroria Speciale, mbrojtësja e të akuzuarit Shpëtim Begolli, avokatja Ardiana Krasniqi, vet i akuzuari Begolli. Mbrojtësi i të akuzuarit Besim Begolli, Halil Balaj dhe mbrojtësi i të akuzuarit Fehmi Begolli avokati Ramiz Krasniqi.

Këto ankesa u shqyrtuan të premten nga kolegji përbërë nga kryetari i kolegjit, gjykatësi Vaton Derguti, gjyqtari referues Burim Ademi, dhe anëtar Kreshnik Radoniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit referues, Ademi, Prokuroria Speciale ka bërë ankesë për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, duke propozuar që Gjykata e Apelit pas shqyrtimit dhe vlerësimit të ankesës si dhe shkresave të lëndës të ndryshojë aktgjykimin e ankimuar vetëm sa i përket sanksionit penal ndaj të akuzuarve Shpëtim, Besim dhe Fehmi Begolli dhe të ju shqiptohet dënim në kohëzgjatje më të gjatë dhe dënim me gjobë më të lartë me të cilën do të arrihej qëllimi i dënimit.

Ndërsa, avokatja Ardiana Krasniqi, mbrojtëse e të akuzuarit Shpëtim Begolli ka deklaruar se qëndron pranë ankesës së parashtruar në këtë gjykatë duke konsideruar se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është i pa bazuar për faktin se në asnjë rrethanë nuk është vërtetuar fajësia e të pandehurit Begolli.

Krasniqi i ka propozuar Gjykatës që ta aprovojë ankesën dhe ta ndryshojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Njëkohësisht, ankesë ka bërë edhe vet i akuzuari Shpëtim Begolli për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave ligjore, me të cilën ankesë ka propozuar që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën e tij, ashtu që ta ndryshoj aktgjykimin dhe të njëjtin ta lirojë nga akuza.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Besim Begolli, Halil Balaj deklaroi se mbetet në tërësi pranë ankesës së paraqitur pranë Gjykatës së Apelit dhe potencoi faktin se në këtë çështje penale brenda gjykatës së shkallës së parë nuk u vërtetua me prova relevante se i mbrojturi i tij e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Andaj, i propozoi gjykatës që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza dhe t’i kthejë mjetet të cilat i janë konfiskuar.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Fehmi Begolli, avokati Ramiz Krasniqi gjatë elaborimit të ankesës së tij ndër të tjerash tha se në asnjë veprim të të mbrojturit të tij nuk janë gjendur elementet si furnizimi, transportimi pastaj prodhimi këmbimi e shitja e mbi këtë bazë mendon se duhet të ndryshohet ky aktgjykim dhe i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Në këtë rast, i akuzuar është edhe Vladica Miladinoviq, për të cilin gjyqtarja e atëhershme në seancën fillestare të mbajtur më 2 tetor 2014 me propozim të prokurorisë e kishte veçuar procedurën, pasi që i njëjti nuk kishte qenë i pranishëm në seancë.

Në këtë rast, të akuzuar kanë qenë edhe Rasha Steviç dhe Samin Qehaja, për Steviç është veçuar procedura penale, ndërsa për Qehajën është hudhur poshtë akuza dhe ka pushuar procedurën penale, pasi që i njëjti është akuzuar vetëm për armëmbajtje pa leje.

Ndryshe, lidhur me këtë rast Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 tetor 2014 të akuzuarit Shpëtim, Besim dhe Fehmi Begolli si dhe Rasha Steviç i kishte shpallur fajtorë.

Pas ankesës së ushtruar nga mbrojtja, Gjykata e Apelit me vendimin e 29 majit 2015, këtë çështje e kishte kthyer në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Po ashtu, kjo gjykatë ka vlerësuar se pranimi i fajësisë nuk është bërë në përputhje me dispozitat e KPP-së, pasi që sipas shkresave të lëndës dhe nga vetë përmbajtja e pranimit të fajësisë, të akuzuarit nuk e kanë kuptuar përmbajtjen e pranimit të fajësisë.

Në aktakuzën e 5 qershorit 2014, thuhet se të pandehurit Shpëtim Begolli, Besim Begolli, Fehmi Begolli, Rasha Steviç, Vladica Miladionoviq dhe Jashar Jashari, gjatë periudhës kohore prej 9 shtator 2013 e deri më 5 dhjetor 2013 me dashje dhe me dijeni, e me qëllim që ky grup të kryejë vepra penale që janë të dënueshme me burgim, së paku 4 vjet, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.

Këtë thuhet se e kanë bërë duke e ditur se pjesëmarrja e tyre do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale për import, furnizim, transport, këmbim, ndërmjetësim, blerje dhe shitje të paautorizuar të armëve.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, thuhet këtë e kanë bërë në atë mënyrë që duke marrë instruksione dhe udhëzime nga i pandehuri Shpëtim Begolli, i cili nga Burgu i Dubravës, ku është duke vuajtur dënimin, nëpërmjet telefonit ka kontaktuar me ta dhe ka menaxhuar veprimtarinë mbi furnizimin dhe shpërndarjen e armëve si dhe të municionit për to.

Tutje, thuhet se kështu të pandehurit tjerë me vetëdije kanë sjellë sasi të madhe të armëve dhe atë një pushkë gjuetie modeli rus, 26 pistoleta me gaz të modeleve të ndryshme dhe atë 25 prej tyre të tipit “Zoraki” model 940 dhe tjera e të njëjtit tip modeli 917-B dhe 3 mijë e 500 fishekë të kalibrit 9mm, të cilat i kanë sjellë të pandehuri Rasha Steviç dhe Vlladica Miladinoviq nga Serbia për në Kosovë, me qëllim që t’ua shesin të pandehurve Fehmi e Besim Begolli.

Tutje, aty pretendohet se këtë e kanë bërë duke e ditur që importin, furnizimin, transportin, këmbimin, ndërmjetësimin dhe shitjen e tyre po e bëjnë pa autorizim, të cilat i kanë gjetur zyrtarët policorë me rastin e ndalimit të tyre në fshatin Bërnicë, Komuna e Prishtinës, më 5 dhjetor 2013, gjatë kontrollimit të automjeteve të tyre në veturën e markës “Audi 89”, në bagazhin e asaj veture dhe nën ulësen e pasme.

Ndërsa, thuhet se me rastin e kontrollimit te shtëpia e të pandehurit Milandinoviq kanë gjetur edhe një bajonetë-thikë, ndërsa i pandehuri Jashar Jashari nga i pandehuri Besim ka blerë armë dhe municion, e të cilat më pas ua ka shitur personave të ndryshëm, ku gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur një revole e “PARA” 9 mm dhe municion të kalibrit të ndryshëm si dhe pjesë të ndryshme të armëve.

Me këtë, në bazë të aktakuzës i pandehuri Shpëtim Begolli thuhet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse” nga neni 372, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Kurse, aktakuza thotë se të pandehurit Besim Begolli, Fehmi Begolli, Rasha Steviç dhe Vladica Milandinoviq kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse” nga neni 372, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Kurse, Samin Qehaja, sipas aktakuzës në fjalë që prej periudhës së pavërtetuar e deri më 16 prill 2014, në shtëpinë e tij, pa leje valide të organit kompetent ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një pushkë gjuetie të markës Calt, karikator si dhe 67 fishekë të kalibrit të ndryshëm dhe aktakuza e ngarkon për mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco