Qeveria ndan 100 euro shtesë për punonjësit e shtetit dhe mbyll emergjencën e Shëndetit Publik

Qeveria ndan 100 euro shtesë për punonjësit e shtetit dhe mbyll emergjencën e Shëndetit Publik

12:07, 24/05/2023

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës mori vendim për ndarjen e 100 eurove për punëtorët e ndërmarrjeve publike në Kosovë që kanë pagë deri në 1 mijë euro.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se masat janë në vazhdimësi ose kanë rezultuar nga procedurat ankimore.

“Siç e theksuar kemi të bëjmë me dy masa që janë në vazhdimësi, pra kemi të bëjmë me pagesa që kanë të bëjnë me vazhdimin ose që kanë rezultuar nga procedurat ankimore. Pika 1.4 e këtij vendimi parasheh ndarjen e 100 eurove shtesë në pagat e punonjësve të shtetit”.

“Në kuadër të masës 3.6 – Mbështetja e likuiditetit familjar, të gjithë punonjësit në ndërmarrjet publike që marrin pagë primare deri në njëmijë (1,000 €) e që kualifikohen për përfitim, mbështeten me shumen e njëhershme prej njëqind euro (100 €)”, thuhet në pikën 1.4 të masës 3.6 të pakos”.

Qeveria formon këshillin organizativ për shënimin e Ditës së Çlirimit dhe 145-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

Ekzekutivi, po ashtu ka shqyrtuar propozim vendimin për themelimin e këshillit organizativ për shënimin e 12 qershorit Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes ka caktuar edhe anëtarët e këtij këshilli organizativ.

Ai po ashtu gjatë mbledhjes ka themeluar edhe këshill për 10 qershorin 145 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.

“Ashtu që të nisin përgatitjet zyrtare për shënimin e këtyre dy datave propozojë që të themelohet këshilli organizativ në këtë përbërje: Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit kryesues, ministri i mbrojtjes anëtar, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës anëtare, ministrja e Drejtësisë anëtar, ministri i Punëve të Brendshme anëtar dhe përfaqësues nga zyra e Kryeministrit anëtar”.

“Ftohen që të dërgojnë nga një përfaqësues në këshill dhe Zyra e Presidentes anëtar, përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës po ashtu anëtar, përfaqësues nga Komuna e Prishtinës anëtar, Komandanti i Forcave të Sigurisë anëtar, kryetarët e organizatave të dalur nga lufta UÇK anëtar, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës anëtar, përfaqësues të familjes Jashari anëtar dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare”.

Miratohet drafti i strategjisë së Mbrojtjes

Pika e dytë që është miratuar në mbledhje është shqyrtimi i draftit të strategjisë së mbrojtjes.

“Në këtë dokument do të përcaktohen objektivat kryesore për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit terriorial të vendit, modernizimin dhe avancimin e kapaciteteve ushtarak, zgjerimin e bashkëpunimit bilateral, anëtarësimin në organizata dhe pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare si avancim i bashkëpunimit me NATO-n”, ka sqaruar Kurti.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është thënë se këto objektiva pritet që të realizohen gjatë planin “afatshkurtër” dhe “afatmesëm”.

“Objektivat janë përcaktuar duke u bazuar në interesat shtetërore, këto objektiva do të përmbushen në planin afatgjatë dhe në planin afatmesëm dhe duke pasur parasysh që kjo strategji është njëra ofron drejtimin kryesor për organizimin e sistemit të mbrojtjes për t’u përgjigjur rreziqeve dhe kërcënimeve ju ftoj për miratim”.

Shqyrtohet propozim vendimi për formimin e Këshillit Ndërministror për kontroll të duhanit

Në pikën e tretë të Qeverisë është shqyrtuar propozim vendimi për formimin e Këshillit Ndërministror për kontroll të duhanit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se ndër vite ky ligj nuk ishte zbatuar për një sërë arsyesh nga pushtet e kaluara.

“Ky ligj ishte miratuar në Kuvend në vitin 2013 dhe pas një suksesi në zbatim në dy vjetet e para të zbatimit të tij, ky ligj nuk është zbatuar në vitet në vijim si pasojë e përkrahjes së ultë politike, aktivitet të zbehtë të institucioneve mbikëqyrese dhe monitoruese”.

“10 vjet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Qeveria është duke marrë aksione për zbatimin e këtij ligji”.

Mbyllet emergjenca e Shëndetit Publik

Një tjetër pikë ishte shqyrtimi i kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë për mbylljen e emergjencës së Shëndetit Publik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe një herë shprehu ngushëllime për të gjithë familjarët që kanë humbur të dashurit e tyre.

“Po bëhen më shumë se tri vjet prejse bota është përballur me një armik të padukshëm për ne. Edhe për ne periudha e COVID-19 ka qenë një betejë mjaft e vështirë, por jemi munduar që maksimalisht t’i kryejmë përgjegjësitë tona. U jemi përherë mirënjohës punëtorëve shëndetësorë për punën e palodhshme”.

“Teksa sot po e mbyllim këtë emergjencë më lejoni që edhe një herë të shprehë ngushëllimet për ata që humbën më të dashurit e tyre nga kjo pandemi”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, potencoi se do të vazhdojnë të përcjellin situatën epidemiologjike në vend.

“Atëherë pas tri vjetësh, ministria e Shëndetësisë duke marrë parasysh situatën epidemiologjike në Kosovë për heqjen e gjendjes emergjente të shëndetit publik kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria që të nxjerr vendim për mbylljen emergjencës së Shëndetit Publik”.

“Sigurisht ministria e Shëndetësisë me institucionet tjera përgjegjëse do të vazhdoj të e përcjell nga afër situatën epidemiologjike në vend”, deklaroi Vitia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco