Manipulimet me tituj akademikë - Vetingu në arsim, zgjidhja ideale për t’i dhënë fund këtij problemi

Manipulimet me tituj akademikë - Vetingu në arsim, zgjidhja ideale për t’i dhënë fund këtij problemi

12:45, 27/04/2023 Nga Ç.D

Manipulimet me tituj akademikë janë një nga shkeljet më serioze të integritetit akademik dhe cilësisë së arsimit të lartë, problematikë kjo e shprehur shumë viteve të fundit në Kosovë, duke bërë që situata të jetë shqetësuese, raporton Syri.net Kosova.

Përdorimi i titujve të lartë akademikë për të rekrutuar stafin e ri pa kriteret e duhura brenda Universitetit të Prishtinës, është kthyer fatkeqësisht në një praktikë të paligjshme e shumë të dëmshme për reputacionin që ky universitet posedon.

E kjo sfidë me mungesë transparence dhe llogaridhënie duket se ka një zgjidhje, shkruan Syri.net Kosova.

Vetingu në arsim po konsiderohet zgjidhja ideale për t’i dhënë fund këtij problemi.

Me vetingun, institucionet e arsimit të lartë do të jenë të detyruara të llogarisin për aktivitetet e tyre dhe të ndjekin procese të qarta dhe të rregullta.

Në të njëjtën kohë, vetingu do të ndihmojë në luftimin e korrupsionit dhe në përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë. Nëse procesi i vetingut bëhet në mënyrë të drejtë dhe të ndershme, sipas ekspertëve të arsimit,  atëherë do të ketë më shumë besim në institucionet akademike dhe në diplomën e fituar nga studentët.

Se është i pashmangshëm vettingu në arsimin e lartë e pohon edhe përfaqësuesi i ORCA-s, Dibran Hoxha, i cili thotë se është masa e duhur për të përmisuar këtë fenomen negativ.

Ai tutje me anë të një prononcimi për Syrin, shprehet se aktualisht vullneti politik po mungon për të ndërmarrë këtë reformë të thellë arsimore.

“Puna e vetingut dhe titujve në përgjithësi me gjasë është duke ndodh një progres, rektori ri ka marrë një iniciativë për me ndryshu statutin e UP-së, edhe dëshiron të bëj disa avancime që lidhen me marrjen e titujve krahas punimeve shkencore e kështu me radhë, por vetingu prap është i pashmangshëm nëse jo për tituj akademik që ndërlidhet me punimet shkencore. Një çështje tashmë emergjente por që nuk po adresohet qysh duhet në arsimin e lartë janë plagjiaturat, për aq sa ka qenë primare puna titujve shkencor, të titujve akademik në korolacion me punimet shkencore, kjo për një kohë ka nis me u sanu, nëse ju kujtohet prej hulumtimeve tona në vitin 2017, mosjustifikimi i titujve akademik ka qenë rreth 72% e tash ka ra rreth 30%, kështu që kjo për një kohë ka qenë e domosdoshme, por vetingu në përgjithësi do duhej të përfshinte edhe verifikimin e titujve akademik dhe edhe justifikimin e tyre   plagjiaturat dhe të gjitha elementet tjera përbërëse të integritetit akademik që lidhen me stafin akademik dhe universiteti në përgjithësi, kështu që prap vetingu do duhej të ishte masa e duhur por vërehet që vullneti politik për me ndërmarrë këtë reformë të thellë nuk është në kahje të duhur apo më mirë të themi mungon në këtë faze, pasi nuk ka naj hap konkret për me adresu rrënjësishëm fenomene negative brenda arsimit të lartë.”, deklaroi Hoxha.

E sipas profesorit të UP-së, Blerim Rexha, manipulimet me titujt akademikë shfaqin vetëm njërën nga shumë dobësitë në sistemin e arsimin të lartë në Kosovë.

Ai shprehet se vettingu duhet paraprakisht të “përligjet”, diskutohet me palët e interesit, dhe mbi të gjitha të parashihet rezultati përfundimtar i këtij procesi. 

“Se cilësia në arsim, duke përfshi edhe arsimin e lartë, nuk është në gjendjen e dëshiruar tani më është e qartë për secilin, edhe për akterët nga tregu lokal i punës edhe për studentët. Ndryshimi është i pashmangshëm, dhe për këtë qëllim duhet një planifikim shumë i kujdesshëm. Vettingu duhet paraprakisht të “përligjet”, diskutohet me palët e interesit, dhe mbi të gjitha të parashihet rezultati përfundimtar i këtij procesi.  Manipulimet me tituj akademik shfaqin vetëm njërën nga shumë dobësitë në sistemin e arsimin të lartë në Kosovë. Në përgjithësi kemi një mungesë të integritetit personal dhe akademik, dhe shpesh herë vendimet, lidhur me proceset në arsimin e lartë, nuk janë të bazuara në meritokraci, siç do të duhej të ishte”, tha ai në një deklaratë për Syri.net Kosova.

E derisa në vazhdimësi adresohet kërkesa e një reforme të thellë në arsimin e lartë, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së arsimit dhe luftimit të korrupsionit, Syri.net Kosova ka kontaktuar në vazhdimësi me MASHTI-n dhe UP-në, por që të njëjtit as edhe njëherë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të redaksisë për të kuptuar nëse ka nisur ndonjë iniciativë për të filluar një proces i tillë.

Kujtojmë se manipulimet me tituj akademikë në Universitetin e Prishtinës janë një shqetësim serioz që kërkojnë një trajtim serioz nga autoritetet e universitetit dhe nga qeveria.

Procesi i vetingut në arsimin e lartë është një proces i vështirë dhe i gjatë, por shumë i rëndësishëm për të siguruar integritetin dhe cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë./Syri.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco