Tenderi i Ministrisë së Liburn Aliut për kompaninë ku punoi Rexhep Selimi, anulohet kontrata

Tenderi i Ministrisë së Liburn Aliut për kompaninë ku punoi Rexhep Selimi, anulohet kontrata

12:04, 23/02/2023

Dy llote të tenderit për “mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitin 2022” janë anuluar një ditë pas dhënies së kontratës për dy konsorciume private.

Ministria e Infrastrukturës ka anuluar sot dy llote të kontratës, një ditë pasi përzgjodhi dy konsorciume private për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale në një vlerë të përbashkët prej 1.8 milionë euro.

Llotet një dhe dy të tenderit për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës janë anuluar për shkak të një “lëshimi teknik”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurimit të MI-së për anulim të dy lloteve të kontratës.

Ministria ka thënë se gabimisht ka kontraktuar dy konsorciume për dy llotet e para të kontratës.

“Gjatë njoftimit për dhënie për Lot 3 është bërë një leshim teknik, ku janë bërë dhënie edhe për Lotet 1 dhe 2 te cilat lote gjinden ne OSHP, andaj për këtë arsye bëjmë anulimin për dhënie për Lot 1 dhe Lot 2”, thuhet në njoftimin e MI-së.

Në dokumentin për anulimin e kontratës, po ashtu bëhet e ditur se një urdhër i Organit Shqyrtues të Prokurimit kërkon anulimin e kontratës.

Të mërkurën, në njoftimin për fituesit e tenderit – për të cilin ishin vënë në dispozicion mbi tre milionë euro – Ministria përzgjodhi dy konsorciume private si ofertat më të suksesshme.

Grupi i kompanive: “Bujar Shabani B.I.”, “Via Egnatia Sh.P.K.” dhe “Bageri – 1 Sh.P.K”, u përzgjodh për llotin e parë të kontratës në vlerë 783,257.36 euro.

Ndërkaq, llotin e dytë të kontratës me vlerë 1,093,383.95 euro e fitoi konsorciumi privat i kryesuar nga “RSM Company Sh.P.K.”, në përbërje me firmën ndërtimore “Kosova Asfalt SH.P.K.”.

“RSM Company”, e cila qëndroi fituese e një lloti në vlerë milionëshe të tenderit, është një firmë ndërtimore, përfituese e shpeshtë e tenderëve publikë nga institucionet publike që pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 2008. Kompania drejtohet nga afaristi Agim Kola.

Agim Kola, pronar i kompanisë
Agim Kola, pronar i kompanisë “RSM”

Aktiviteti i Kolës është i shtrirë edhe në Shqipëri. Në vitin 2019, mediat shqiptare kishin raportuar për arrestimin e pronarit të “RSM Company” nën dyshimin për evazion fiskal. Emri i Kolës ndodhej në mesin e mbi 15 biznesmenëve të arrestuar për mashtrime tatimore në Shqipëri.

Në Kosovë, ai njihet për afërsinë dhe bashkëpunimin me Rexhep Selimin, ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deri në vitin 2011, Rexhep Selimi kishte punuar për një kohë në kompaninë “RSM” të Agim Kolës. Atë vit, në formularin e deklarimit të pasurisë pranë Agjencisë Kundër Korrupsion, ish-deputeti i LVV-së kishte deklaruar pagë vjetore në vlerë 12 mijë euro nga puna në kompaninë e Kolës.

Përpos punës në “RSM Company Sh.P.K.”, dikur biznesi i familjes së Rexhep Selimit, “Dreal” Sh.P.K. zyrtarisht në pronësi të Shqipe Mehmeti-Selimit, bashkëshortes së ish-deputetit, kishte përfitues tenderë publike në konsorcium me kompaninë “RSM”.

Selimi, në vitin 2011, e kishte pohuar afërsinë me Agim Kolën.

“Jam angazhuar në kompaninë Road Signs & Marking RSM gjatë kohës që isha i papunë, para se të kandidoja për deputet në zgjedhjet e kaluara. Aty kam kryer punë të ndryshme menaxheriale. Në ndërkohë familja ime ka zhvilluar edhe një biznes tjetër familjar me firmën DREAL, me pronare bashkëshorten time, me të cilin biznes kemi bashkëpunuar kryesisht me kompaninë RSM dhe me partnere të tjerë të kësaj kompanie, por jo si lider në projekte, për shkak të kapaciteteve të limituara te DREAL-it”, kishte pohuar Selimi.

Shqipe Mehmeti-Selimi, shërben si deputete në legjislaturën e fundit dhe aktuale të Kuvendit të Kosovës nga viti 2021.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco