E preku dhe e puthi me zor 11-vjeçaren në një pyll të Drenasit, gjykata ia cakton paraburgimin të dyshuarit

E preku dhe e puthi me zor 11-vjeçaren në një pyll të Drenasit, gjykata ia cakton paraburgimin të dyshuarit

17:32, 14/12/2022

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim personit që dyshohet se ka sulmuar seksualisht një vajzë të mitur në Gllanasellë të Drenasit, para dy ditësh. Viktima e këtij rasti është një 11-vjeçare, të cilën i dyshuari e ka prekur e ledhatuar me zor në një pyll.

Ndaj të dyshuarit, A.K., gjykata ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata thotë se  “ka marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës e cila është e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston  rreziku që i njëjti do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë apo edhe të falsifikojë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtin në përsëritjen e veprës penale”.

Kjo ngjarje e trishtë dyshohet se ka ndodhur në një pyll, në orët e mbrëmjes së 12 dhjetorit, me ç’rast vajza e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer për atë që kishte ndodhur. Si rezultat i raportimit të rastit, e mitura është dërguar në QKUK për ekzaminimet e nevojshme, ndërsa Policia është vënë në veprim.

Personi i dyshuar është arrestuar nga zyrtarët policorë dhe më pas është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet. Me t’u përfunduar procedurat policore, i njëjti ishte dërguar në mbajtje për 48 orë dhe më pas është bërë kërkesë për masën e sigurisë.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Kushdo që prek personin tjetër me qëllim seksual ose e cyt personin e tillë të prekë kryesin apo personin tjetër për qëllim seksual, pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vjet.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco