Përfundon afati për certifikim, “Lista Serbe” bojkoton zgjedhjet e jashtëzakonshme në Veri

Përfundon afati për certifikim, “Lista Serbe” bojkoton zgjedhjet e jashtëzakonshme në Veri

18:11, 25/11/2022

Ka përfunduar zyrtarisht afati për certifikim të partive politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka deklaruar se, në total, gjashtë parti kanë aplikuar për certifikim në KQZ, derisa “Lista Serbe” nuk është njëra prej tyre.

Në mesin e këtyre gjashtë partive hyn PDK, VV, Iniciativa Qytetare Mitrovica, Partia Kosovskih Serbia, Iniciativa Qytetare Sprski dhe një kandidat i pavarur.

“Gjatë kësaj periudhe (15 nëntor – 25 nëntor 2022), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 6 kërkesa për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 dhjetorit, si në vijim: Iniciativa Qytetare Mitrovica ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut; Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim në zgjedhjet e katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok; Partia Kosovskih Srba ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Leposaviqit. Një kandidat i pavarur; Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim në zgjedhjet e katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok; Iniciativa Qytetare Srpski Opstanak ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, tha Elezi.

Sipas Elezit, të hënën do të bëhet edhe certifikimi i kandidatëve për kryetar të këtyre komunave, pas verifikimit se të njëjtit i kanë plotësuar të gjitha kushtet për kandidim.

“Neni 29 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme tregon se kush mund të jetë kandidat i certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, përveç disa rasteve, pra: nëse është gjykatës apo prokuror; pjesëtar i FSK-së, doganës, i AKI-së, përfaqësues diplomatik apo pjesëtar i PZAP-it. Gjithashtu, KQZ-ja do të komunikojë edhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të verifikuar nëse ndonjë nga kandidatët është i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit, apo me vendim të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat. Sipas afateve të miratuara nga KQZ-ja, procesi i vendimmarrjes për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve do të ndodhë deri më 28 nëntor”, theksoi Elezi.

Kontestimin e afatit paraprak të certifikimit për zgjedhje, 21 nëntor, e kishte bërë Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kishin kërkuar që afati të shtyhet deri më 25 nëntor.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore, me vendim të Presidentes Osmani, janë përcaktuar të mbahen më 18 dhjetor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco