Biden paralajmëron se bota do të përballet me një ‘Apokalips’ në rast se Putin përdor armë taktike bërthamore

Biden paralajmëron se bota do të përballet me një ‘Apokalips’ në rast se Putin përdor armë taktike bërthamore

09:21, 07/10/2022

Rreziku i një “Armagedoni” (Apokalipsi) bërthamor është në nivelin e tij më të lartë që nga kriza e raketave në Kubë në vitin 1962, ka thënë presidenti amerikan Joe Biden.

Siç raporton sot BBC, Biden tha se presidenti rus Vladimir Putin “nuk po bënte shaka” kur foli për përdorimin e armëve taktike bërthamore pasi ka pësuar pengesa në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara “po përpiqeshin të kuptonin” mënyrën e daljes së Putinit nga lufta, shtoi ai.

Për disa muaj zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Rusia mund të përdorë armët e shkatërrimit në masë, nëse pëson pengesa në fushën e betejës.

Presidenti Biden tha se arsyeja pse lideri rus nuk kishte bërë “shaka” kur ai foli për përdorimin e armëve taktike bërthamore, biologjike ose kimike është “sepse ushtria e tij, është shumë e dobët”.

“Për herë të parë që nga kriza e raketave në Kubë, ne kemi një kërcënim të drejtpërdrejtë për përdorimin e armëve bërthamore, nëse në fakt gjërat vazhdojnë në rrugën që kishin shkuar”, u tha Biden kolegëve demokratë.

“Ne nuk jemi përballur me perspektivën e Armagedonit që nga Kennedy dhe kriza e raketave Kubane.”

Në vitin 1962, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik – nën Presidentin John F Kennedy dhe Nikita Hrushov – iu afruan një përballje bërthamore mbi vendosjen e armëve bërthamore ruse në Kubë.

Konfrontimi konsiderohet nga shumë ekspertë si më i afërti që bota ka pasur ndonjëherë të një lufte bërthamore në shkallë të plotë.

SHBA dhe BE kanë thënë edhe më parë se sulmi bërthamor i Putinit duhet të merret seriozisht.

Megjithatë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, javën e kaluar tha se, pavarësisht nga sugjerimet bërthamore të Moskës, SHBA nuk kishte parë asnjë shenjë se Rusia po përgatitej  që së shpejti të përdorte ndonjë armë bërthamore.

Gjatë një fjalimi të premten e kaluar, presidenti rus Putin tha se SHBA-të kishin krijuar një “precedent” duke përdorur armë bërthamore kundër Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore . 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco