'Serbia të nisë luftën dhe ta kthejë Kosovën, si Rusia Krimenë', televizioni në Rusi me dokumentar skandaloz

'Serbia të nisë luftën dhe ta kthejë Kosovën, si Rusia Krimenë', televizioni në Rusi me dokumentar skandaloz

15:48, 03/09/2022

Televizioni rus “Russia Today”, ka nisur transmetimin e një programi që ata e quajnë “program special dokumentar” në të cilin bëhet thirrje për luftë në Ballkanin Perëndimor.

Aty është shfaqur edhe lideri i së djathtës serbe, Misha Vaçiq i cili kërkon që edhe Serbia të veprojë njëjte si Rusia, në mënyrë që siç thotë ai “fëmijët e brezit të ri serb të jetojnë në një vend ku do të bashkohen të gjitha vendet serbe”, duke përmendur këtu Malin e Zi,  Bosnjën dhe Kosovën, shkruan Nova.rs.

“Djali im dhe fëmijët e tjerë do të jetojnë në një vend të paqes absolute, ku janë mbledhur të gjitha vendet serbe, nga deti serb, përmes Bosnjës serbe, Kosovës serbe…”, tha Vaçiq.

Ai shtoi se serbët duhet të veprojnë si Rusia dhe se kanë të drejtë ta bëjnë këtë.

“Ashtu si Rusia ka sukses në denazifikimin, çmilitarizimin dhe çlirimin e botës ruse, ashtu edhe ne serbët kemi të drejtë, përmes operacioneve speciale, të krijojmë një botë serbe që do të jetojë në paqe dhe liri”,  thotë ekstremisti i djathtë serb në këtë emision.

Aty transmetohet edhe fjalimi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq ku ai thotë se Serbia do të kundërshtojë NATO-n dhe Perëndimin, sepse “nuk kemi askund tjetër për të shkuar.”

Në emision përmendet vazhdimisht rreziku i shpërthimit të luftës, duke propaganduar se kjo mund të ndodhë në muajt dhe vitin në vijim.

“Të shtënat në pikën kufitare Bërnjak, si njëqind vjet më parë në Sarajevë, pothuajse çuan në një krizë globale”, thuhet në fillim të raportimit, duke iu referuar barrikadave të serbëve të Kosovës të muajit të kaluar në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Vaçiq citohet gjithashtu duke thënë:

“Është koha për të zgjidhur çështjen e Kosovës siç bëri Rusia me Krimenë”.

Një tjetër ekstremist serb citohet duke u shprehur:

“Nuk do të lëmë asnjë fëmijë, edhe sikur të jetonin në Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë. Është detyrë e brezit tonë të sigurojmë që askush të mos mbetet pas, askush të mos harrohet”.

Për këtë program ka folur edhe ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko. Ai jep arsyet se pse Rusia po kërkon të hapë një bazë ushtarake në Serbi.

Ambasadori rus thotë se kjo do të ishte një kundërpeshë e bazës amerikane, apo NATO-s, Bondsteel në Kosovë. Ai theksoi se Moska zyrtare e kërkon hapjen e kësaj baze, por nuk insiston dhe nuk ua imponon autoriteteve të Serbisë hapjen e bazës së saj ushtarake në atë vend.

“Perëndimi po e shtyn Serbinë drejt vendosjes së sanksioneve anti-ruse, Serbia detyrohet të njohë Kosovën, Serbisë i kërcënohet me ndërprerje të furnizimit me gaz”, raporton kjo media fjalët e ambasadorit rus.

Një pjesë e filmit i kushtohet edhe aksionit “Stuhia” me theks në mënyrën se si u dëbuan serbët nga Kroacia. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco