Rehatimet e familjarëve dhe miqve në Prokurorinë në Prizren të drejtuar nga Admir Shala

Rehatimet e familjarëve dhe miqve në Prokurorinë në Prizren të drejtuar nga Admir Shala

20:12, 18/05/2024

Fenomeni i punësimeve po vazhdon të aplikohet suksesshëm edhe në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Përmes lidhjeve familjare e miqësore, prokurorët e kryeprokurorët punësojnë të afërmit e tyre në sistemin gjyqësor, por edhe anasjelltas. Sinjali ka realizuar një hulumtim për punësimet në sistemin prokurorial dhe gjyqësor në Prizren, ku protagonistë janë kryeprokurori Admir Shala dhe miqtë e tij, gjyqtari Artan Sejrani dhe gjyqtari Skender Çoçaj.

Rrjeti i lidhjeve për t’i rehatuar familjarët me vende pune apo për t’i garantuar vetes kontroll në sistem?


‘Beteja’ e fundit e kryeprokurorit Shala lidhet me synimin e tij për ta rehatuar bashkëshorten në pozitën e Prokurores së Shtetit. Gruaja e Shalës, Majlinda Shala, është njëra ndër 422 kandidatët që i ka hyrë garës dhe do t’i nënshtrohet testit kualifikues të dielën, më 19 maj.

Kryeprokurori Shala fillimisht nuk e ka komentuar këtë çështje, përveçse e ka konfirmuar për Gazetën Sinjalin se ajo është në garë për prokurore të shtetit.

Majlinda Shala aktualisht është bashkëpunëtore profesionale në Gjykatën Themelore në Prizren, pozitë kjo në të cilën dyshohet se ishte avancuar nga pozita e zyrtares ligjore, në kohën kur miku i burrit të saj, Artan Sejrani po ushtronte pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të kësaj gjykate.

Shala është kontaktuar sërish nga Sinjali dhe ka deklaruar se bashkëshortja e tij është avancuar sipas kritereve, duke e mohuar se ka ndikuar në punësimin e saj dhe të familjarëve të tjerë për të ciëlt është pyetur nga redaksia.

“Se pari bashkeshortja ime eshte punetore e kesaj gjykate nga viti 2012 dhe sikur te gjithe punetoret qe jane avancuar gjate ketyre viteve edhe bashkeshortja ime eshte avancuar sipas kritereve dhe kushteve ligjore. Per pyetjet tjera ju lutem drejtohuni ne KPK dhe KGJK sepse te gjitha procedurat i zhvillojne ata dhe nuk kam pasur asnje ndikim ne keto punesime, pavaresisht tendencave te dikujt per te demtuar imazhin dhe reputacionin tim”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Shalës.

Sinjali ka mësuar se një miqësi të mirë, që daton prej vitesh e ka Admir Shala me Artan Sejranin, i cili është gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prizrenit. Gruaja e këtij të fundit punon në prokurorinë që udhëhiqet nga Shala.

Admir Shala është pyetur edhe për raportin e tij me gjyqtarin Sejrani, duke e mohuar se e ka mik, teksa ky i fundit e ka konfirmuar miqësinë me kryeprokurorin.

“Artan Sejrani nuk eshte mik i imi por jemi koleg qe na lidh profesioni”, janë fjalët e Shalës.

Gjyqtari Sejrani është kontaktuar nga Gazeta Sinjali për ta konfirmuar miqësinë e tij me Admir Shalën, por edhe punësimin e Majlinda Shalës në Gjykatë.

Sejrani fillimisht nuk e pranoi që e ka mik Shalën, por më pas e konfirmoi raportin e tyre miqësor.

“E kom mik. Dalim bashkarisht në kafe…Po(përgjigja e tij kur pyetet sërish se a janë miq me Admir Shalën). Unë nuk avancoj njerëz, Këshilli Gjyqësor i avancon. Nuk e di kur është avancu, nuk më kujtohet. Nuk di…”, ka thënë Sejrani.

Nga shkurti i vitit 2019, Sejrani ishte emëruar nënkryetar i Gjykatës, kurse nga muaji korrik 2020 deri në maj të vitit 2022, ka qenë ushtrues detyre i kryetarit të Gjykatës.


Punësimet e familjarëve të tjerë të Admir Shalës

Në mesin e atyre që kanë arritur të kapin një vend pune në Prokurorinë Themelore në Prizren është edhe një familjare tjetër e Admir Shalës. 

Sinjali merr vesh se bëhet fjalë për Laura Rakajn, mbesë e familjes Shala, e cila është e punësuar në Prokurori qe rreth një vit.

Ajo është vajza e Lumnije Rakajt, e cila ka lidhje familjare me Admir Shalën, pasi gjyshi i këtij të fundit ka qenë daja i saj.

Raporti mes tyre konfirmohet se është mjaft i afërt edhe në rrjete sociale. 

Kryeprokurori Shala nuk e ka komentuar pjesën kur është pyetur për Luara Rakajn, por nëna e saj, Lumnije Rakaj, ka bërë të ditur se kanë lidhje familjare, që e ka konsideruar si të “largët”. Në deklaratën e saj pasi është kontaktuar nga Sinjali, ajo e ka mohuar se ka pasur ndikim lidhja familjare në punësimin e të bijës.

E punësuar në Prokurori ka dalë të jetë edhe Doruntina Kelmendi, familjare e Majlinda Shalës, gruas së Shalës.

Kryeprokurori Shala është pyetur dy herë për lidhjen familjare me Kelmendin, por nuk është përgjigjur konkretisht, duke hedhur akuza për artikuj “me porosi”.

“Te nderuar per shkrime me porosi dhe tendence nuk kam koment” – thuhet në përgjigjen e fundit tëShalës.

I punësuar në Prokurorinë Themelore në Prizren është edhe djali i mikut të Shalës, gjyqtarit në Gjykatën e Apelit, Skender Çoçaj.

Sinjali ka mësuar se edhe Ermal Çoçaj është punësuar në Prokurorinë Themelore në Prizren, në pozitën e bashkëpunëtorit profesional. Në Prokurori ka arritur të futet edhe mbesa e gjyqtarit Çoçaj, Hata Çoçaj

Gjyqtari Çoçaj, i cili ka qenë anëtar i KGJK-së (2016), ish nëënkryetar i Gjykatës Themelore në Prizren (2017) dhe kryesues i KGJK-së (2019-2021) e ka konfimuar se dy familajrët e tij janë të punësuar në Prokurinë në Prizren.

Ai ka thënë shkurt se “Ajo (çështja e punësimit) nuk është sekret” dhe ka refuzuar të komentojë shoqërinë e tij me Admir Shalën, duke e ndalur telefonin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco