Prokuroria në Prishtinë i reagon ministres Haxhiu: Deklaratat e juaja janë të pabaza dhe të papranueshme

Prokuroria në Prishtinë i reagon ministres Haxhiu: Deklaratat e juaja janë të pabaza dhe të papranueshme

14:53, 03/09/2022

Prokruroria Themelore në Prishtinë i ka reaguar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pasi kërkoi shkarkimin e Kryeprokurorit në Prishtinë dhe prokurorit të rastit të 11-vjeçares, e cila dyshohet se u dhunua nga gjashtë persona në qershor të këtij viti. 

Nëpërmjet një komunikate, kjo prokurori i cilëson si të pabaza akuzat e ministres Haxhiu, e cila më herët nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, aludoi se arrestimet erdhën vetëm dy muaj pas reagimit të gjerë publik.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë siguron edhe njëherë opinionin publik se trajtimi i rastit të 11 vjeçares nga ana e Prokurorit të Shtetit është bërë konform të gjitha dispozitave ligjore të cilat janë ndërmarrë në kohë dhe në mënyrë profesionale, në koordinim me institucionet e tjera relevante, andaj, për ne janë të pabaza dhe të papranueshme deklarata të tilla publike”, thuhet në reagim.

“Në vazhdën e kërkesave të kësaj prokurorie drejtuar organeve ekzekutive ka qenë kërkesë esenciale angazhimi i një psikologu pranë kësaj prokurorie, në trajtimin e çështjeve penale, sidomos atyre për të mitur, e cila kërkesë nuk është aprovuar asnjëherë me arsyetimin se nuk ka mjete buxhetore për ta mbuluar të njëjtën kërkesë, derisa e theksojmë se Prokurori i Shtetit ka vazhduar të trajtojë raste të tilla penale dhe do të mbetet i përkushtuar për përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë rast dhe të gjitha rastet e tjera të cilat i ka në trajtim, gjithmonë duke e ruajtur ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë institucionale”, përfundon reagimi.

Haxhiu gjatë ditës ka kërkuar shkarkimin e Kryeprokurorit në Prishtinë dhe prokurorit të rastit të 11-vjeçares së dhunuar nga gjashtë të dyshuar.

“Më e pakta që do të duhej të ndodhte është dorëheqja e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe prokurorit që ka qenë i ngarkuar ne rastin në muajin qershor. Pa pasur dorëheqje dhe shkarkime të atyre që nuk vepruan në kohë dhe sipas përgjegjësisë, fatkeqësisht mund të kemi viktima të tjera”, deklaroi ajo në ‘Facebook.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco