Rastet që tronditën Kosovën: 8 gratë e vrara nga burrat e lajmëruar në Polici, shteti i kishte lënë të lirë

Rastet që tronditën Kosovën: 8 gratë e vrara nga burrat e lajmëruar në Polici, shteti i kishte lënë të lirë

11:53, 30/08/2022

Ekrem Rexhepi, 27-vjeçar është në mesin e të dyshuarve për dhunimin e vajzës 11-vjeçare në Prishtinë. Megjithatë, kjo ndodhi nuk është skandali më i madh në gjithë historinë që tronditi Kosovën. Rexhepi dyshohet se ishte i përfshirë në raste të ngacmimeve dhe dhunimit edhe në të kaluarën.

Kështu të paktën është bërë e ditur në dosjen e Prokurorisë, ku është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Ekrem Rexhepit.

“I dyshuari është i njohur për organet e rendit për vepra të ngjashme penale”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.

Megjithatë, Ekrem Rexhepi ishte lënë i lirë nga institucionet e drejtësisë. Rastet kur vrasësit e grave dhe dhunuesit janë lënë të lirë, janë të shumta. Në shumë raste që nga paslufta në Kosovë, kjo iu ka kushtuar dhjetëra grave edhe me vrasje.

Gazeta Nacionale sjell një përmbledhje të rasteve në Kosovë, ku shteti dështoi t’iu ofrojë siguri grave dhe vajzave, edhe pse ato kishin raportuar dhunën. Edhe pse personat që kryenin këto akte, ishin të akuzuar për vepra penale edhe në të kaluarën.

Rasti Diana Kastrati

Në muajt e parë të vitit 2011, Diana Kastrati kishte shkuar në Gjykatën Komunale të Prishtinës për të kërkuar urdhër-mbrojtje nga personi me të cilin po bashkëjetonte. Kjo pasi Kastrati, ishte bërë subjekt i dhunës në familje nga Adnon Jashari, personi me të cilin i kishte kaluar dhjetë vitet e fundit.

Megjithatë, kjo urdhër-mbrojtje nuk ishte marrë parasysh nga institucionet e drejtësisë. Pasojat ishin fatale. Diana Kastrati u vra më 18 maj të vitit 2011 në një rrugë në afërsi të shtëpisë së saj në Prishtinë.

Përkundër që tanimë e ndjera Diana Kastrati kishte kërkuar mbrojtje emergjente, Gjykata e atëhershme Komunale e Prishtinës me mosveprim i kishte cenuar këtë të drejtë duke mos i ofruar mbrojtje deri kur kërcënimi u realizua dhe Diana Kastrati u vra, siç u raportua nga ish-partneri i saj.

Tash e 11 vjet, i dyshuari për vrasjen e Diana Kastratit është në liri. Ai jeton në Spanjë, dhe përkundër që kërkohet nga INTERPOL-i, nuk mund të ekstradohet në Kosovë, për shkak se Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Një dekadë pas vrasjes, gjykata e kishte obliguar shtetin që familjes së Kastratit t’ia paguajë 95 mijë euro si dëmshpërblim.

Rasti Zejnepe Berisha

Më 23 dhjetor të vitit 2015, do të ndodhte një tjetër vrasje në familje e cila do ta trondiste Kosovën. Zejnepe Berisha u vra nga burri i saj, Nebih Berisha, i cili e goditi me thikë mbi 20 herë, në prezencë të fëmijëve të mitur.

Pak ditë pas vrasjes, në publik dolën detaje të reja. Zejnepe Berisha e kishte raportuar me dhjetëra herë në Polici dhunën në familje, por që i dyshuari sërish ishte lënë në liri.

Fillimisht Nebih Berisha ishte dënuar me 12 vjet burgim, vendim që solli protesta e reagime në Kosovë vite më parë. Ndërkaq, Gjykata e Apelit më pas ia kishte shtuar edhe 5 vjet dënim, duke bërë që dënimi final të arrinte në 17 vjet burgim.

Edhe në këtë rast, askush nuk dha përgjegjësi në lidhje me mos-veprimin e shtetit, si dhe dështimin për t’ia ofruar sigurinë Zejnepe Berishës.

Rasti Valbona Marku – Nrecaj

Në muajin gusht të vitit 2018, një tjetër vrasje tronditi vendin. Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, u qëlluan për vdekje me kallashnikov nga bashkëshorti, përkatësisht babai, Pjetër Nrecaj.

Valbona kishte tentuar të kontaktojë me Policinë për kërcënimet ndaj saj, por që dilemat u shfaqën se Policia nuk e kishte kryer punën si duhet. Edhe pse u dorëzua kallëzim penal ndaj policëve me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, nuk pati rezultat pasi u konstatua se s’pati shkelje.

Çifti kishte pasur probleme edhe në të kaluarën. E shtetin e bëri direkt fajtor vëllai i Valbonës, Shkëlzen Marku.

“Shteti ka dështuar t’i ofrojë ndihmë motrës sime, veç se janë shtetase të Shqipërisë”, kishte thënë ai.

Rasti Sabile Mavrovqani

Në fshatin Berivojcë të Kamenicës, mesditën e 25 korrikut 2020 u krye një tjetër akt i tmerrshëm i dhunës në familje. Nuhi Mavrovqani e kishte goditur gruan e tij Sabilen me shufër metalike, deri në vrasje.

Sipas aktakuzës, Nuhi Mavrovqani edhe pasi që gruaja e tij kishte rënë në tokë pas dy goditjeve të para, kishte vazhduar ta godiste me shufër metalike në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit duke i shkaktuar plagë të rënda në anën e majtë të kafkës dhe në pjesët e tjera të trupit, e cila nuk kishte arritur t’i mbijetonte atyre plagëve.

Krim / Dhuna në familje: Për tre muaj u rrahën 581 gra, këtë javë 38 sosh

Tragjedinë e bënin më të madhe dy fakte: e para që gruaja kishte qenë në lindje vetëm pak javë më parë. Kurse, tjetri është që Nuhi Mavrovqani kishte qenë i dënuar edhe më herët për dhunë në familje dhe vepra të tjera penale.

Sërish, shteti dështoi t’i ofronte siguri gruas nga Kamenica. Nuhi Mavrovqani ishte dënuar me burgim të përjetshëm, por më pas atij iu zbut dënimi në 25 vjet burgim.

Rasti Sebahate Sopi

Në marsin e vitit 2021, Lulëzim Sopi e kishte vrarë me armë zjarri gruan e tij Sebahaten, e më pas e kishte goditur edhe veten. Të dy ishin burrë e grua që kishin pasur në vazhdimësi probleme, e për të cilat Sebahatja kishte raportuar në institucionet e drejtësisë.

Megjithatë, Prokuroria nuk e mori këtë rast me seriozitet, dhe Sebahate Sopi më pas u vra. Dështimin e shtetit e kishte konfirmuar edhe Avokati i Popullit, kurse tashmë vajza e Sebahates i është drejtuar me ankesë Gjykatës Kushtetuese.

“Kështu, L.S kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të Sebahate Morinës, ku më pas kishte vrarë edhe veten. Në raport thuhet se si pasojë e dhunës së vazhdueshme në familje, palët kishin filluar procedurat e shkurorëzimit. Tashmë e ndjera, Sebahate Morina, kishte raportuar dy herë rastin e dhunës në familje, por autoritetet përkatëse nuk e kishin trajtuar rastin me seriozitet”, thuhej në raportin e Avokatit të Popullit.

Rasti Lirie Qerimaj

Në janarin e këtij viti, Lirie Qerimaj ishte gjetur e vrarë në shtëpinë e saj në Llaushë të Skënderajt. Ajo u godit me armë zjarri për vdekje nga bashkëshorti i saj, Skënder Qerimaj.

Viktima kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, por asaj nuk i ishte dhënë siguri. 5 ditë para vrasjes, Lirije Qerimaj e kishte raportuar rastin në polici.

Viktima e këtij rasti, Lirije Qerimaj, më 1 janar kishte kërkuar mbrojtje nga shteti pas dhunës nga burri i saj, ndërsa kërkesa për mbrojtje ishte dorëzuar në ditën kur ajo u vra, me 5 janar. Rastin fillimisht e kishte lajmëruar djali i saj i cili kishte thënë se nëna e tij, Lirija, kishte pasur dhunë psikike nga babai i tij, Skender Qerimaj.

Lirije Qerimaj ishte lënë në një shtëpi me të burrin e saj, i cili dyshohet se kreu vrasjen më 5 janar dhe se të njëjtës nuk i është ofruar që të qëndrojë në një strehimore për shkak të dhunës psikike që kishte raportuar.

Rasti Marigona Osmani

18-vjeçarja Marigona Osmani ishte dhunuar e rrahur fizikisht deri në vrasje. I dashuri i saj Dardan Krivaqa, kishte ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj Osmanit, duke e lënë të vdekur.

Dardan Krivaqa ishte person me të kaluar kriminale. Ai ishte dyshuar për vjedhje e sulm ndaj një polici, por që drejtësia e kishte lënë të lirë. Ai ishte lënë pa një vendim meritor nga gjykata, për 6 vite duke mos u trajtuar si duhet rastet e tij gjyqësore edhe pse ndaj tij ishte ngritur një aktakuzë për tentimvrasje.

Babai i Marigona Osmanit kishte deklaruar se nëna e Krivaqës kishte fuqi dhe ndikim, që kishte bërë që ai të mbetej në liri.

Për të gjitha këto raste të paraqitura në këtë artikull, e as për rastin e djeshëm ku i dyshuari ka precedan kriminal, nuk ka pasur asnjë masë ndaj gjyqtarëve, prokurorëve, apo akterëve të tjerë të sigurisë e drejtësisë të përfshirë në këto raste.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco