A mund të dënohet me burg Martin Berishaj?

A mund të dënohet me burg Martin Berishaj?

10:33, 19/08/2022

Agjencia Kundër Korrupsionit ka ngritur kallëzim penal ndaj Martin Berishajt, ambasador i Kosovës në Kroaci. 

“Rasti me të gjithë dokumentacionin përcjellës me datë 05.08.2022 me Kallëzim Penal është përcjellë në Prokurorinë e Shtetit për procedim penal të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e AKK-së 

Rasti i ambasadorit Berishaj, tashmë është në duart e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Si i fillon Agjencia hetimet dhe cilat janë obligimet e Prokurorisë?

AKK funksionon me ligjin që mban emrin: Ligji Për Agjencinë Për Parandalimin e Korrupsionit.

Pikërisht me këtë ligj, konkretisht me nenin 17, rregullohet edhe mënyra se si i nis hetimet kjo agjenci.

Aty thuhet se hetimet mund të nisin sipas detyrës zyrtare ose sipas informacioneve të pranuara nga personat fizikë apo juridikë. Në rastin e ambasadorit Berishaj, është aplikuar paragrafi 2. Pra hetimet kanë nisur në bazë të informacionit të pranuar nga Gazeta Nacionale.

Menjëherë në nenin e radhës rregullohen edhe obligimet e prokurorisë në raport me agjencinë.

Aty thuhet se Prokuroria, së paku është e obliguar që ta njoftojë Agjencinë në rast të hudhjes së kallëzimit penal, ndjekjes penale të suksesshme si dhe ndjekjes penale të pasuksesshme.

Pra prokuroria në një afat prej një muaji duhet ta njoftojë agjencinë nëse do ta ndjekë penalisht apo jo ambasadorin.

Debati që u shkaktua dje – Çka thotë ligji?

U raportua se në rastin e Berishajt aplikohet neni 430 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës: Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Kishte “tabore” të tjera që insistonin se nuk bëhet fjalë për këtë dispozitë, por për vonesë të raportimit të pasurisë dhe atë për një ose dy ditë.

Sqarim:

Paragrafi 1 dhe 2 i nenit 430 parasheh: Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet. Vepra penale nga ky paragraf i këtij neni konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës.

Pra, është i njëjti nen i cili aplikohet edhe në rastet e deklarimit pas afatit edhe për fshehjen e pasurisë. Pra, neni 430, vepra: Mos-raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Argument përforcues:

Komentari i Kodit Penal përpilohet nga ekspertët e fushës në atë mënyrë që për secilim dyshim për interpretimin e ndonjë dispozite ligjore që rrjedh nga ky kod, të kërkohen sqarime shtesë, pikërisht aty.

Çka thotë komentari në lidhje me mos-raportimin ose raportimin e rremë të pasurisë?

Në lidhje me paragrafin 1, pra: Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet. Vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës; jepet ky sqarim shtesë: “Sipas paragrafit 1. të këtij neni, kjo vepër penale konsumohet, kur personi i cili, sipas Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave të zyrtarëve të lartë publikë, nuk e deklaron fare pasurinë e tillë, ose e deklaron pas skadimit të afatit ligjor për deklarim.

Pra, ne ende nuk e dijmë saktë përmbajtjen e lëndës së AKK-së, ose përmbajtjen e aktakuzës së mundshme të prokurorisë, por ky sqarim shtesë, vjen si rezultat i reagimeve të shumta se rasti i ambasadorit Berishaj, është si pasojë e një vonesë të vogël në deklarimin e pasurisë.

Pra, dispozitën për të cilën ka raportuar Gazeta Nacionale, dhe ajo të cilën proklamonte pushteti dhe disa të tjerë, është identike.

Sa mund të dënohet Berishaj?

Neni i kodit penalt të Republikës së Kosovës për këto raste parasheh dënim maksimal deri në 5 vjet burgim, e konfiskim të pasurisë, për vlerën e padeklaruar.

Gjoba, burgu:

Çdo person i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave të dhuratave të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfillë urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit.”

Konfiskimi:

Vlera e padeklaruar ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, të ardhurave, dhuratave ose të dobisë tjetër pasurore, konfiskohet.

Rastet e ngjashme në praktikën gjyqësore:

Rasti që pati bërë bujë të madhe ishte ai i ish-ministres së jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila nga gjykata u dënua me 8 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse në periudhë prej 1 viti e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale. Haradinaj gjithashtu u dënua me gjobë, në vlerë prej 1 mijë euro.

Më pas Haradinaj-Stublla u shpall e pafajshme nga Apeli.

Ish-drejtoresha e Komunës së Gjilanit dënohet për vonesë në deklarimin e pasurisë

Gjykata Themelore në Gjilan shpalli fajtore Shpresa Hajdarin, ish-drejtoreshë për Kulturë Rini dhe Sport në Komunën e Gjilanin. E njëjta pati pranuar fajësinë, teksa në aktakuzë thuhej se Hajdari formularin për deklarimin e pasurisë e kishte dorëzuar në Agjenci jashtë afatit.

Hajdari meqenëse e kishte pranuar veprën penale, nga gjykata u dënua me gjobë.

Asamblistja e komunës së Malishevës, Filloreta Bytyqi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht si dhe me gjobë prej 400 eurove për mos-deklarim të pasurisë.

Dënimi me burg së njëjtes nuk do t’i ekzekutohej, nëse ajo brenda periudhës verifikuese prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Edhe pse parashihet me ligj, dënimi me burgim efektiv për këto raste nuk është aplikuar asnjëherë në Republikën e Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco