Vuçiq bisedon me përfaqësuesit perëndimorë, për dialogun

Vuçiq bisedon me përfaqësuesit perëndimorë, për dialogun

22:19, 16/08/2022

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u ka bërë thirrje SHBA-ve dhe vendeve partnere të Perëndimit që të inkurajojnë Prishtinën që t`i qaset dialogut me Beogradin me përgjegjësi dhe seriozitet.

Në prag të vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, në Bruksel, më 18 gusht, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka biseduar sot në telefon me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Vuçiq u ka bërë thirrje SHBA-së dhe vendeve partnere të Perëndimit që të inkurajojnë Prishtinën që t’i qaset dialogut me Beogradin me përgjegjësi dhe seriozitet.

Kështu njoftoi zyra e presidentit pas bisedës telefonike të Vuçiqit me Derek Chollet. Vuçiq dhe Chollet diskutuan për takimin e ardhshëm në Bruksel, në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Vuçiq tha se pret që SHBA-ja dhe partnerët perëndimorë të vlerësojnë përpjekjet e Serbisë në dialogun me Prishtinën dhe ta inkurajojnë atë që të marrë një qasje serioze dhe të përgjegjshme ndaj detyrimeve që dalin nga dialogu. Ai shtoi se askush nuk duhet të dyshojë në përkushtimin e sinqertë të Serbisë ndaj politikës së paqes dhe stabilitetit.

Chollet tha se SHBA-ja do të mbështesë ruajtjen e paqes dhe se ata insistojnë në të, njofton zyra e presidentit.

Para raundit të ri të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, presidenti Vuçiq ka zhvilluar një bisedë telefonike me të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Vuçiq tha se paqja dhe stabiliteti janë të një rëndësie të madhe dhe se Serbia do të bëjë çmos që të ruajë ato, por që nuk varet vetëm nga njëra anë. “Serbia, si gjithmonë, do të jetë konstruktive në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje kompromisi”, tha presidenti Vuçiq, njofton zyra e presidentit.

Presidenti Vuçiq dhe i dërguari i posaçëm, Sir Peach, ranë dakord se Serbia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë mundësi të bashkëpunojnë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht nga pikëpamjet e ndryshme për pavarësinë e Kosovës.

Vuçiq do të jetë në Bruksel më 17 dhe 18 gusht dhe, siç është njoftuar nga kabineti i tij, arsyeja e vizitës së tij do të jetë vazhdimi i dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në njoftim thuhet gjithashtu se Vuçiq do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në Bruksel.

Takimi mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është caktuar më 18 gusht.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco