Kosova, vendi ku burrat kërkojnë të lejohet shamia në shkolla e gratë heshtin

Kosova, vendi ku burrat kërkojnë të lejohet shamia në shkolla e gratë heshtin

14:44, 10/08/2022

Një grup qytetarësh ka ditë që po kërkojnë shfuqizimin e udhëzimit administrativ, i cili e ndalon bartjen e shamive në shkolla.

Zakonisht, kur bëhet fjalë për tema të nxehta, krerët e shtetit heshtin.

Kryeministri Kurti nuk e ka thënë asnjë fjalë pro ose kundër lejimit të shamisë në shkolla. Por, komentuesit që po dëshirojnë që shamia të lejohet në shkolla, i janë sulur me komente atij dhe ministres Nagavci.

Ajo që bie shumë në sy është se shumica e komentuesve janë burra, pra burra që në emër të lirisë duan të mbulojnë vajza të vogla që ende nuk janë të pjekura plotësisht për të marrë vendime për veten.

Para se të vinte në pushtet edhe vetë Albin Kurti kishte deklaruar se ishte pro mbajtjes së shamive në shkolla.

Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Blendi Fevziu e pyet Kurtin për “flirtin” me, siç i quan “islamikët”.

Fevziu e cek një detaj që quhet “Ligji për Mbajtjen e Shamive”, por që në fakt një ligj i tillë në Kosovë nuk ekziston.

Megjithatë, Kurti përgjigjet se partia dhe qëndrimi i tij politik nuk është për të bërë ligj për përdorimin apo mospërdorimin e shamisë, por është kundër ligjit që ndalon mbajtjen e shamive.

“Pra, jam kundër ndalimit të shamive në shkolla”, përgjigjet Kurt

“Ne nuk bëjmë ligj kundër ndalimit. Është çështje e të drejtave elementare njerëzore. Nuk duam probleme me Gjykatën e Strasburgut, do ta humbisnim këtë betejë”, i kundërpërgjigjet Kurti – Fevziut.

Ai thotë se ka bindjen se këto janë probleme të shekullit të kaluar dhe se duhen kujtuar fjalët e poetit shqiptar Ervin Hatibi, i cili lidhur me këto qëndrime thotë se “nuk do të duhej të merremi me probleme rrobaqepësie”.

Që nga viti 2014 ekziston një udhëzim administrativ i Ministrisë së Arsimit që ndalon bartjen e shamisë në shkolla. Ai aktualisht nuk zbatohet në tërësi si akt, por tashmë është shtrirë gjerësisht kërkesa që të ndryshohet dhe ajo pikë mos të ekzistojë fare.

Para pak ditësh edhe kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, i është drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me kërkesën për shfuqizimin e këtij akti nënligjor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco