'Për ta larguar çeçenizimin e Kosovës', ky deputet paralajmëron rrëzimin e qeverisë

'Për ta larguar çeçenizimin e Kosovës', ky deputet paralajmëron rrëzimin e qeverisë

18:51, 02/08/2022

Pas dy ditësh tensione, situata në veri të Kosovës konsiderohet të jetë e qetë. Dje u larguan të nëntë barrikadat që ishin vendosur nga serbët lokalë në këtë pjesë.

E me heqjen e tyre, Qeveria e Kosovës ashtu siç ishte zotuar, e shtyu deri më 1 shtator implementimin e dy vendimeve për reciprocitet të letërnjoftimeve me Serbinë dhe atë për targa të automjeteve.

Këtë vendim ekzekutivi e mori pas kërkesës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes nga Partia Demokratike e Kosovës, Hisen Berisha, tha se tensionet e krijuara në këtë pjesë të vendit ishin të programuara mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak.

“Këto situata i shërbejnë ruajtjes së status qou-s dhe pengojnë arritjen e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës e Serbisë, të cilat luftojnë me njëra-tjetrën që nga viti 1912”, deklaroi Berisha, teksa akuzoi Qeverinë Kurti për “çeçenizimin” e shtetit të Kosovës.

Ai paralajmëroi rrëzimin e Qeverisë Kurti në shtator, pasi siç tha, të gjitha partitë duhet të punojnë fort për ta larguar “çeçenizimin” si opsion të politikëbërjes.

“Në shtator, Kuvendi i Republikës së Kosovë besoj se do t’i kryejë të gjitha procedurat e votëbesimit të kësaj qeverie, do ta rrëzojë qeverinë.

Ne si kuvendarë të të gjitha partive duhet të punojmë fort për ta larguar ‘çeçenizimin’. Për ketë jam optimist!”, u shpreh tutje deputeti opozitar. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco