Serbia e akuzon Kurtin për 'rrëmbim të shoferit' të autoambulancës me ilaçe kontrabandë

Serbia e akuzon Kurtin për 'rrëmbim të shoferit' të autoambulancës me ilaçe kontrabandë

17:30, 02/08/2022

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se “personalisht ka urdhëruar rrëmbimin e Dejan Spahiqit, shofer i autoambulancës në qendrën mjekësore në Mitrovicë të Veriut”.

Në një konferencë për media të martën, Petkoviqi ka publikuar fotografi të Spahiqit duke thënë se për këtë do të ngrihen kallëzime penale ndaj Kurtit, “që po vazhdon të terrorizojë popullin serb në Kosovë”.

“Një ditë pas qetësimit të tensioneve në veri të Kosovës dhe Metohisë, Kurti po nis provokime të rënda”, ka thënë Petkoviqi.

Sipas tij, Spahiq u ndal nga vetura e Njësisë Speciale dhe katër policë “të veshur deri në dhëmbë e të maskuar”. Ka thënë se madje njëri nga policët ka vozitur autoambulancën në drejtim të jugut, shkruan “Kosovo-Online”.

“Arsyeja përse vodhën veturën, shoferin dhe furnizimet mjekësore ishte sepse Dejan Spahiq po transportonte infuzionin nga Qendra e Mjekësisë në Leposaviq në drejtim të Qendrës Mjekësore në Mitrovicën e Veriut”, ka thënë Petkoviqi.

Ai ka shtuar se “Albin Kurti po i sulmon pacientët që po presin për ilaçe dhe pajisje medicinale”.

“Pas sulmit në tabelat tona dhe letërnjoftime, është koha për institucionet tona shëndetësore dhe pacientët tanë. Njerëzit janë të nervozuar e zhgënjyer sepse askush nuk e di cili është plani i ardhshëm i Albin Kurtit”, ka thënë ai duke shtuar se e ka njoftuar për këtë edhe emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Petkoviqi ka thënë se furnizimet mjekësore në “spitalet serbe janë të pakta dhe se autoritetet e Prishtinës kanë ndaluar transportin e mjeteve mjekësore në drejtim të Kosovës për më shumë se një vit”.

Për Spahiqin ka folur edhe drejtori i spitalit në veri të Mitrovicës, Dr. Zlatan Elek. Ai ka konfirmuar për “Kosova Online” se shoferi i ambulancës së Shtëpisë së Shëndetësisë, Dejan Spahiq, është rrëmbyer dhe se i ka humbur çdo gjurmë që nga momenti i arrestimit nga njësiti special në Rudar.

Elek konfirmoi deklaratat e drejtorit të Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, se Spahiqi ishte rrëmbyer dhe se nga momenti kur njësia speciale e ka arrestuar, i kanë humbur të gjitha gjurmët.

“I konfirmoj të gjitha detajet e deklaruara nga drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq. Shoferi i ambulancës që punon në Shtëpinë tonë Shëndetësore, Dejan Spahiq, është rrëmbyer, sepse i ka humbur çdo gjurmë që nga momenti i kapjes nga Rosu në Rudar, është dërguar në drejtim të panjohur, askush nuk na ka kontaktuar, askush nuk na ka thënë asgjë për punëtorin tonë, as për automjetin, përveç punëtorit tonë që drejton autoambulancën e cila i dërgon rregullisht barnat nga qendra shëndetësore e Leshakut në Shtëpinë e Shëndetësisë në Mitrovicë. Ne i kemi njoftuar të gjitha institucionet relevante dhe do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë”, tha Elek.

Dyshohet se Spahiq drejtonte një autoambulancë me ilaçe ilegale kur ishte ndalur nga njësia speciale e Policisë së Kosovës dhe se për këtë është arrestuar dhe i janë konfiskuar ilaçet. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco