'Saga me Kryeprokurorin', Presidentja nuk e dekreton Blerim Isufajn

'Saga me Kryeprokurorin', Presidentja nuk e dekreton Blerim Isufajn

17:03, 02/08/2022

 

Presidentes Vjosa Osmani po i rri ende në tavolinë propozimi i Këshillit Prokurial për ta dekretuar Blerim Isufajn si Kryeprokuror të Shtetit.

Gjykata Kushtetuese më 4 korrik i shpalli të papranueshme kërkesat e dy kandidatëve për kryeprokuror, Shqipdon Fazliut dhe Armend Hamitit, të cilët kontestuan kushtetutshmërinë e vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ky ishte veprimi i fundit në procesin e zgjedhjes së njeriut që do ta pasojë Aleksandër Lumezin në udhëheqjen e instancës më të lartë të ndjekjes në vend.

Në Presidencë nuk i janë përgjigjur interesimit të Express se kur do të vendos presidentja Osmani për ta dekretuar ose jo Isufajn si kryeprokuror.

Emri i Isufajt u dërgua në Presidencë në prill, pasi Këshilli Prokurorial e votoi unanimisht Isufajn për kryeprokuror. Presidentja Vjosa Osmani, sipas ligjit e bën emërimin, por mund edhe të mos e bëjë.

Para disa javësh, nga Presidenca kishin deklaruar se janë në pritje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese rreth ankesave të dy kandidatëve për kryeprokuror.

Në njoftimin dërguar mediave në fillim të këtij muaji, Kushtetuesja sqaroi se “kërkesat përkatëse i shpall të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Kandidatët që u ankuan në gjykatën që është kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë, ishin renditur në pozitën e dytë dhe të katërt në garën për kryeprokuror. Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti më 28 prill dhe 6 qershor respektivisht iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se vendimi i KPK-së për përzgjedhjen e Blerim Isufajt i kishte shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kur Aleksandër Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar në prill, KPK e caktoi Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.

Ndërkombëtarët u zhgënjyen me përzgjedhjen e Blerim Isufajt për Kryeprokuror

Bashkimi Europian, specifikisht Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiduruan befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese mënyrën se si Këshilli Prokurorial e ka përzgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog reagoi i befasuar pas mbledhjes së KPK-së në prill.

“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të siguruar një përzgjedhje fer, transparente dhe të bazuar në merita, të Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin duke mos i respektuar këto parime. I befasuar dhe i zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, kishte thënë Szunyog përmes një reagimi në Twitter.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, kishte shprehur po ashtu zhgënjimin e tij për vendimin e KPK-së për ta përzgjedhur Blerim Isufajn kryeprokuror.

“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga e duhur për të ecur përpara. Sidomos kur OJQ-të e njohura të Kosovës, si Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe GLPS, kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, shkroi Rohde.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kishte thënë se pritjet e SHBA-së në këtë proces kanë qenë që ai të jetë “i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita”.

“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e Panelit Shqyrtues nuk përmbushin këtë standard. SHBA-ja nuk ka pasur një kandidat të preferuar dhe as nuk kemi paragjykuar kualifikimet individuale të kandidatëve”, ishte shprehur Hovenier përmes një postimi në Twitter.

Ambasadori Hovenier kishte thënë se prezenca e përfaqësuesve të ambasdës gjatë seancës së 6 prillit, ku KPK-ja në mënyrë unanime nominoi Blerim Isufajn për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, nuk duhet të shihet si mbështetje e SHBA-së për këtë proces.

“Ne jemi të shqetësuar me mënyrën KPK-ja ka kryer këto procedura dhe ka dëmtuar besimin e publikut të Kosovës dhe besimin tonë ndaj KPK-së si institucion publik”, kishte shkruar Hovenier.

Tri organizata joqeveritare: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, i kërkuan presidentes Vjosa Osmani që të mos e dekretojë Isufajn.

Propozimi i Blerim Isufajt nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të Shtetit është i papranueshëm për këto organizata joqeveritare.

“Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit”, u tha në një komunikatë të përbashkët të këtyre organizatave.

IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL i kanë bërë thirrje Presidentes që gjatë vlerësimit, t’i ketë parasysh mangësitë e theksuara në këtë proces.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco