Po shqyrtohet seriozisht njohja e Kosovës nga disa shtete të BE-së

Po shqyrtohet seriozisht njohja e Kosovës nga disa shtete të BE-së

09:23, 28/07/2022

Bashkimi Evropian – si union – Kosovën e njeh pashkëputshëm nga fusnota (*) në fund të emrit, që qëndron aty për të treguar se “nuk ia paragjykon statusin”, pasi janë plotë pesë shtete që s’e kanë pranuar pavarësinë e shpallur në vitin 2008.

Por, Ivo Josipoviç, ish president i Kroacisë (2010/2015), në një intervistë e ka deklaruar se “po dëgjon në prapaskena” që këta pesë mosnjohës (Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania) shumë shpejt mund ta ndryshojnë qëndrimin në raport me shtetin e ri.

“Dëgjoj, prapa skenave, se disa nga këto shtete janë seriozisht duke e shqyrtuar ndryshimin e qëndrimit të tyre dhe ta njohin Kosovën”, pohoi Josipoviç.

Njohja, nga cilat do këto shtete, në këtë kohë kur një e tillë s’ka ardhur as nga jashtë BE-së tash e dy vjet, do të përbënte zhvillimin më të madh për Kosovën në arenën ndërkombëtar në dekadën e fundit.

Josipoviç nuk e ka elaboruar më shumë përgjigjen e tij se për cilin saktësisht nga ky pentagon shtetesh bëhet fjalë, por ish-presidenti, një pionier i politikës ballkanike dhe një staturë kyçe në anëtarësimin e Kroacisë në BE (2013), e di fare mirë çfarë flet.

Ai, në këtë bisedë për Albanian Post, thotë se edhe sa ishte president, asnjëherë nuk i ka blerë arsyetimet që homologët e tij evropianë i kanë dhënë për mos njohjen e Kosovës.

Për më tepër, argumentet e tyre, pohon si i janë dukur fare të papeshuara.

“Është përnjëmend e pazakontë që disa anëtarë të BE-së nuk e njohin e Kosovën. Ky arsyetimi se një gjë e tillë do të krijonte precedentë e që do të mund t’u kthehej si bumerang këtyre shteteve është i dobët”, deklaron Josipoviç.

“E tëra kjo tregon dobësinë e madhe të BE-së dhe mungesën e një politike të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë”, thotë ish-presidenti.

Ivo Josipoviç, fjalimi i fitores se gares presidenciale, janar 2010

Ivo Josipoviç i ka parë të gjitha në politikë. Dinamikat në Ballkanin Perëndimor i njeh si pak kush.

Ai ishte edhe një nga figurat qendrore në transformimin demokratik të Ligës së Komunistëve të Kroacisë në Partinë Social Demokratike. Për më tepër, si profesor universitar e ekspert i drejtësisë, Josipoviç ishte autori i parë i statutit të kësaj partie të transformuar.

Duke qenë edhe muzikant e kompozitor notat politike i kishte atipike për një ballkanas. Në vitin 1994 do largohej nga politika për t’u rikthyer vetëm në vitin 2003, si deputet i pavarur brenda listës së SDP-së.

Pas mandatit të dytë si deputet, do garonte në kampanjën e vitit 2010 për president të Kroacisë. Do fitonte me epërsi të lartë. Në vitin 2015 iu fut prapë garës. U mposht nga Kolinda Grabar-Kitaroviç, kandidatja e Unionit Demokratik të Kroacisë (HDZ-së), në atë që do mbahet mend si një nga garat më të ngushta presidenciale. Humbi për 0.7% të votës së përgjithshme.

Më nuk kompozon politikë, por vazhdon të jetë pjesë e orkestrës joformale të saj.

Për dialogun Kosovë – Serbi thotë se duhen liderë të guximshëm nga të dyja anët dhe beson se e ardhmja do t’i sjellë ata.

“Do të shfaqen liderë që do të kuptojnë se njohja e ndërsjellë dhe një ardhme e përbashkët brenda BE-së është gjëja më e mirë që mund të bëjnë për të ardhmet e vendeve të tyre”.

Ish-Presidenti shton se ndonëse “faktori ndërkombëtar ka rol të rëndësishëm” në arritjen e një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë – “jam një nga ata që besojnë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të zgjidhen nga faktori ndërkombëtar, por që të dy shtetet duhet të kuptojnë se paqja dhe vlerat evropiane janë çelësi i paqes së qëndrueshme në Ballkan dhe përparimit të tyre”.

Që Kosova do të mund të jetë vend i suksesshëm evropian në të ardhmen, Josipoviç nuk e ka asnjë dyshim. Megjithatë, thotë se “parakusht i rëndësishëm i të ardhmes evropiane të Kosovës është rregullimi cilësor i pozitës së minoriteteve kombëtare, veçanërisht ajo e serbëve”.

“Për BE-në, kjo do të jetë edhe matësi i evropianizimit të Kosovës. Pas një lufte të përgjakshme dhe konflikteve të shumta politike, unë e di që kjo nuk është punë e lehtë”, deklaron Josipoviç në këtë intervistë të parë për nje media online në Kosovë e Shqipëri.

Sa për raportet Kosovë – Kroaci, Josipoviç konfirmon që tashmë ato janë të etabluara në histori, “sidomos në aspektin politik”.

Intervista e plotë me ish-Presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviç:

Kroacia dhe Kosova gëzojnë marrëdhënie të shëndosha qe një kohë të gjatë. Kosova dhe qytetarët e saj Kroacinë – politikisht, por edhe për nga aspektet e saj shoqërore – e çmojnë shumë. Si do t’i vlerësonit marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve?

Ivo Josipoviç: Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Kroacisë janë tejet të mira. Veçanërisht ato politike. Ekonomikisht dhe kulturalisht, do të mund të ishin më intensive. Në Kroaci, ne kemi një numër të konsiderueshëm qytetarësh me origjinë nga Kosova, shqiptarë të Kosovës, por edhe kroatë atje veçanërisht në zonën e Janjevës. Shumë prej tyre janë zanatlinj të suksesshëm, artistë, profesorë, ndërmarrës…Mbase do të mund ta veçoja mikun tim dhe artistin e rëndësishëm, kompozitorin Bashkim Shehu, i cili është pjesë e kulturës kroate dhe kosovare. Gjithashtu kam kujtime të dashura me disa artistë që jetojnë në Kosovë, si kompozitori i shquar Rafet Rudi. Kohëve të fundit isha në Shqipëri, në Tiranë, ku m’u dha një doktoratë nderi. Aty më befasuan me një regjistrim të vjetër të kompozimit tim Agnus Belli të performuar nga Kori i RTV-së së Prishtinës dhe dirigjentit Rafet Rudi kohë më parë më 1984. Është një kompozim dramatik i krijuar gjatë kohërave të trazirave në Kosovë, sa që policia në atë kohë, thuhet, e hetonte se çfarë kishte të bënte me ne. A është kompozimi aktivitet subversiv? Nuk ishte ashtu në atë kohë, por, fatkeqësisht, kompozimi ishte pothuajse profetik dhe (para)lajmëronte luftë. Ishte nder për mua që Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ishte në mesin e të ftuarve në inaugurimin tim presidencial në 2010. Gjatë mandatit presidencial, gjithashtu kam bashkëpunuar me Presidenten Atifete Jahjaga. Të dy shtetet, edhe Kroacia edhe Kosova janë lindur dhe ndërtuar në kushte të vështira lufteje të agresionit, prandaj edhe kemi shumë gjëra të përbashkëta.

Kroacia i ka ofruar shumë mbështetje Kosovës, në aspiratat e saj për liri, pavarësi, proceset integruese evropiane, në organizata ndërkombëtare etj. Si ishin marrëdhëniet me Kosovën gjatë kohës sa ju shërbenit si President i Republikës së Kroacisë.

Ivo Josipoviç: Vetëm mund ta përsëris se marrëdhëniet mes dy vendeve tona, si në luftë ashtu edhe në paqe, kanë qenë të shkëlqyera. Isha në vizitë zyrtare në Kosovë, Presidenti Sejdiu ishte në inaugurimin tim, dhe Presidentja Jahjaga ishte gjithashtu e ftuara ime. Dhe, qeveritë edhe atëherë, si sot, kanë pasur marrëdhënie tejet korrekte. Kroacia gjithmonë ka besuar që e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe është e gatshme të ndihmojë në atë drejtim me përvojën dhe këshillat e saj, në lidhje me rrugën e anëtarësimin në të ardhmen në BE. Rruga e Kosovës drejt BE-së nuk do të jetë e lehtë, do t’ju duhet të zbatoni shumë reforma, të përmbushni kushtet ekonomike dhe politike. Mendoj se Kroacia mund të ndihmojë shumë në atë drejtim, me mbështetje edhe politike edhe profesionale.

Si e shihni ju sot Kosovën si shtet?

Ivo Josipoviç: Kosova ka një avantazh të madh krahasuar me shtetet tjera. Popullata e saj është e re dhe në rritje. Përveç kësaj, shoh edhe se po ndiqen politika të mira arsimore. Kam takuar shumë të rinj nga Kosova, të arsimuar shumë mirë, me njohje të shkëlqyeshme të gjuhëve të huaja. Ky kapital njerëzor është garantuesi i së ardhmes së mirë të Kosovës. E vetmja gjë është se ju duhet të siguroheni se këta njerëz të rinj të mos ikin në numra të mëdhenj drejt perëndimit, në kërkim të standardeve më të mira, dhe që të siguroni se mbani marrëdhënie të afërta me ata që ikin dhe entuziazmin e tyre për të ndihmuar me reformat dhe modernizimin e Kosovës. Ne nuk kemi qenë shumë mirë me politika të popullatës, dhe ky është problem madhor i yni. Kosova, si Kroacia, është demokraci e re, natyrshëm ka hapa të gabuar dhe probleme serioze. Të drejtat e njeriut, veçanërisht të drejtat e pakicave, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë qenë pengesat më të vështira në tranzicionin e të gjitha shteteve. Por, jam i sigurt se Kosova do të jetë vend i suksesshëm evropian. Një parakusht i rëndësishëm i të ardhmes evropiane të Kosovës është rregullimi cilësor i pozitës së minoriteteve kombëtare, veçanërisht ajo e serbëve. Për BE-në, kjo do të jetë edhe matësi i evropianizimit të Kosovës. Pas një lufteje të përgjakshme dhe konflikteve të shumta politike, unë e di që kjo nuk është punë e lehtë.

Kosova është e angazhuar në një proces dialogu me Serbinë, e cila, sipas disponimit të përgjithshëm, vetëm sa ia ka ngrirë pozicionin e saj. Tensionet janë konstante, retorika e vrazhdë, ripajtimi jashtë horizonti, dhe prospekti për arritjen e një marrëveshje mes dy shteteve të bazuar në njohje të ndërsjellë duket që s’ka gjasa të bëhet. Si e keni parë ju këtë proces dhe si do të mund të ishte zgjidhja sipas jush?

Ivo Josipoviç: Vërtetë, duket se ka pasur një ngërç në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Së paku për tani, nuk shoh të ketë ndonjë forcë politike në Serbi që do të ishte e gatshme ta njohë Kosovën. Por, Kosova dhe shtetësia e saj janë aty, janë realitet, dhe jam i bindur se do të shfaqen liderë në Serbi dhe në Kosovë që do të kuptojnë se njohja e ndërsjellë dhe një ardhme e përbashkët brenda BE-së është gjëja më e mirë që mund të bëjnë për të ardhmet e vendeve të tyre. Edhe pse bashkësia ndërkombëtare luan rol të rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, unë jam një nga ata që besojnë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të zgjidhen nga faktori ndërkombëtar, por që të dy shtetet duhet të kuptojnë se paqja e qëndrueshme, dhe vlerat evropiane janë çelësi i paqes së qëndrueshme në Ballkan dhe përparimit të tyre.

Në anën tjetër, Kosova mbetet ende të njihet nga pesë shtete tjera anëtare të BE-së, të cilët argumentojnë se nuk do ta njohin Kosovën derisa nuk është gjetur një zgjidhje përmes dialogut të lehtësuar nga BE.  Serbia këtë kryesisht e shfrytëzon për të mohuar shtetësinë e Kosovës në BE, si dhe veton ruse në KS të OKB-së. A konsideroni se kjo mund të ndërrojë, dhe si?

Ivo Josipoviç: Është përnjëmend e pazakontë që disa anëtarë të BE-së nuk e njohin e Kosovën. Ky arsyetimi se një gjë e tillë do të krijonte precedentë e që do të mund t’u kthehej si bumerang këtyre shteteve është i dobët. E tëra kjo tregon dobësinë e madhe të BE-së dhe mungesën e një politike të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Sidoqoftë, dëgjoj prapa skenave se disa nga këta shtete janë seriozisht duke e shqyrtuar ndryshimin e qëndrimit të tyre dhe ta njohin Kosovën. Do ta shohim… Në anën tjetër, çështja e vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të jetë vështirë e zgjidhshme pa një marrëveshje paraprake mes Serbisë dhe Kosovës, vetëm në rast të ndonjë kthese dramatike në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Serbisë. Me këtë e kam fjalën për një vendim të qartë të Serbisë të bëhet anëtare e BE-së dhe t’i përmbahet politikës perëndimore kundrejt Rusisë.

Ka pasur gjithashtu edhe zëra për një bartje të mundshme të konfliktit të Ukrainës edhe në Ballkanin Perëndimor. Pikat e nxehta është thënë të jenë rajonet serbe të Bosnjës dhe pjesa veriore e Kosovës. A konsideroni se një skenar i tillë mund të ndizet?

Ivo Josipoviç: Fatkeqësisht, gjendja në marrëdhëniet ndërkombëtare, rajonale dhe madje edhe e sigurisë globale është e atillë që askush nuk mund të parasheh me siguri se çfarë do të ndodh dhe çfarë drejtimi do të zhvillohet lufta në Ukrainë. Shpërndarja e konfliktit në vende tjera, madje edhe në tërë botën, nuk është më fantashkencë, por njëra nga opsionet reale. Paqja botërore është para një sprove të madhe. Nuk ka asnjë qëllim politik që mund të justifikojë agresionin, luftën, vrasjet dhe shkatërrimet. Vetëm mund të shpresoj se tmerret e luftërave të viteve të 90’ta janë paralajmërim i qartë ndaj të gjithë liderëve rajonalë që nuk duhet të ketë më luftë dhe se kanë përgjegjësi të mëdha të mos lejojnë shtetet e tyre të tërhiqen drejt luftërave të reja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco