Kuvendi nderon heroin Ilaz Kodra, ishte patriot i devotshëm

Kuvendi nderon heroin Ilaz Kodra, ishte patriot i devotshëm

11:10, 02/05/2024

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorëve e martirëve, të rënë, më 30 prill 1999 në Drenicë.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se 25-vjet më parë, fshatrat, Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks e Gllobar, u ndodhën në egërsinë e regjimit gjenocidal të Serbisë, në një ofensivë, e cila kishte të vetmin qëllim, shfarosjen e shqiptarëve në këtë anë dhe spastrimin etnik.

“Banorëve të këtyre fshatrave në mbrojtje iu vu UÇK-ja, në krye me Ilaz Kodrën dhe bashkëluftëtarët, të cilët me trimëri e guxim rezistuan deri në flijim. Bashkëluftëtari i komandantit legjendar Adem Jashari, Ilaz Kodra në këtë përpjekje për mbrojtje të popullsisë civile bie heroikisht në fushëbetejë bashkë me 42 luftëtarë të UÇK-së. Ai ndoqi idealin e komandat Ademit, duke e konsideruar lirinë si vlerë të panegociueshme dhe sublime të popullit të tij, ndaj u përjetësua”, ka theksuar Osmani.

Sipas saj, heroi Ilaz Kodra, ëndrrën për liri e kishte farkëtuar qysh në rininë e tij, duke iu rrekur aktivitetit patriotik për liri e shtet.

“Si një patriot i devotshëm, ai u shndërrua në dorën e djathtë të komandantit Adem Jashari, ndaj bashkë me të dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë jo vetëm që themeluan bërthamën e UÇK-së, por edhe zhvilluan trajnime ushtarake në Shqipëri”, ka theksuar e para e vendit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka theksuar se komandanti Ilaz Kodra, bënë pjesë në grupin e patriotëve të UÇK-së, që e panë të parët lirinë e atdheut.

“Kontributi për organizimin e strukturimin e luftës së UÇK-së është i hershëm dhe vazhdoi deri ne rënien e tij, si një nga shokët e pandarë të Adem Jasharit, pas rënies se Xheva e Fehmi Lladrovci, ai mori në drejtim organizimin e zonës. UÇK është kapitulli më i ndritur i historisë sonë, të shekullit të 20-të”, ka thënë Konjufca.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco