Deputeti belg këmbëngul se ndërtimi i burgut në Kosovë është i mundur

Deputeti belg këmbëngul se ndërtimi i burgut në Kosovë është i mundur

11:44, 02/05/2024

Deputeti i partisë opozitare belge Aleanca e Re Flamane (N-VA), Theo Francken, ka këmbëngulur se ndërtimi i një burgu në Kosovë për t’i dërguar emigrantët e paligjshëm është i mundur.

Francken e hodhi idenë e ndërtimit të një burgu në Kosovë javën e kaluar. Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, e pati quajtur “ide të çmendur”.

Në Belgjikë më 9 qershor do të mbahen zgjedhjet federale. Siguria është një nga çështjet kryesore të fushatës elektorale, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me drogën.

Për Franckenin, Belgjika duhet të burgosë më shumë njerëz edhe pse pothuajse janë mbipopulluar. Prandaj, deputeti federal belg po propozon ndërtimin e një burgu në Kosovë.

“Është e mundur. Socialistët në Danimarkë po e bëjnë, ata kanë marrëveshje me Kosovën dhe do të zbatohet në muajt në vijim. Për mua, është e qartë që ne duhet ta kopjojmë këtë marrëveshje sepse kemi pak a shumë 3 mijë emigrantë të paligjshëm në burgjet tona, njerëz që nuk kanë leje qëndrimi në Belgjikë”, ka thënë Francken për “RTL-in” belg të enjten.

Danimarka do t’ia paguajë Kosovës 210 milionë euro gjatë 10 vjetëve për të akomoduar rreth 300 të burgosur që janë kapur duke qëndruar ilegalisht në shtetin nordik. Marrëveshja është duke pritur ratifikimin në Kuvendin e Kosovës.

Pikëpyetja e këtij plani ka të bëjë me të drejtat e njeriut. Francken thotë se ato nuk shkelen.

“Të gjithë ata që nuk kanë letra do të dërgohen në Kosovë, edhe nëse nuk janë kosovarë. Në Danimarkë nuk ka probleme me të drejtat e njeriut. Nëse socialistët danezë mund ta bëjnë, mund ta bëjmë edhe ne, sepse jemi të dy shtete evropiane”, arsyeton Franckeni.

Sipas deputetit, Belgjika do të ishte përgjegjëse për mbikëqyrjen e burgut në Kosovë.

“Ne e kemi bërë tashmë, kemi monitoruar një burg në Holandë. Pra, është e mundur të bëhet edhe në Kosovë, ose në Shqipëri, ose në Gjeorgji, ose në vende të tjera. Ne duhet të negociojmë me këto vende. Fola me kryeministrin dhe është e mundur”, ka thënë Francken, i cili do t’i prijë listës së N-VA në zgjedhje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco