Me Kurtin dhe Osmanin prezent, nënshkruhet marrëveshja 200 milionë dollarëshe në mes Kosovës dhe MCC-së

Me Kurtin dhe Osmanin prezent, nënshkruhet marrëveshja 200 milionë dollarëshe në mes Kosovës dhe MCC-së

22:31, 27/07/2022

Është nënshkruar marrëveshja për Programin Kompakt ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është bërë në njërin nga departamentet e Kongresit amerikan.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nënshkroi marrëveshjen mbi 200 milionë dollarëshe për Kosovën.

Programi Kompakt përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë.

MCC-ja mëton që me këtë program të ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike, pasi vlerësohet se furnizimi jo i qëndrueshëm energjetik e pengon rritjen ekonomike.

Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Sipas drejtoreshës së MCC-së për Kosovën, Sarah Olmstead, prokurimi i parë për projektet e Programit Kompakt pritet të nisë pas dy vjetësh.

Pas nënshkrimit të Programit Kompakt, Kuvendi i Kosovës duhet të ratifikojë këtë marrëveshje ndërkombëtare me dy të tretat e votave.

Projekti më i rëndësishëm pritet të jetë ai i Ruajtjes së Energjisë. Përmes këtij projekti, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco