Bamieh thotë se e kishte përgjuar Ilir Tolajn në burg: Ndërmjetësuesit e tij bisedonin me gjyqtarin dhe kryeprokuroren

Bamieh thotë se e kishte përgjuar Ilir Tolajn në burg: Ndërmjetësuesit e tij bisedonin me gjyqtarin dhe kryeprokuroren

13:35, 16/07/2022

Ish-prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, e cila e fitoi procesin gjyqësor në Britani lidhur me sinjalizimin e rasteve të dyshuara korruptive në EULEX e ka mbajtur sot një konferencë për media.

Ajo ka treguar në detaje për hetimet që kishte bërë ndaj ish-sekretarit në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolajt, të cilin thotë se e përgjoi me autorizim të gjykatës.

Bamieh deklaron se Tolajn e kishte përgjuar përmes telefonit që ai e mbante jashtëligjshëm gjatë kohës sa ishte në burg.

Ajo pretendon se ndërmjetësuesit e Ilir Tolajt janë takuar me gjyqtarin e rastit Francesco Flori ku i kishin ofruar që të paguanin për lirimin e Ilir Tolajt dhe mbylljen e këtij rasti.

Bamieh thotë se gjyqtari Flori ishte takuar edhe me kryeprokuroren Jaroslava Novotna në një restoran në Gërmi, njofton Klankosova.tv.

“Vazhdova punën time dhe detyra ime e radhës ishte rasti i Ministrisë së Shëndetësisë ku i dyshuar ishte Ilir Tolaj. Ky rast ishte i një kolegu tim prokuror gjerman i cili u largua nga misioni dhe më pas rasti më kaloi mua. Kisha përgjime të ligjshme të cilat përfshinin disa ndërhyrje. Kolegu im gjerman i kishte dëgjuar këto përgjime, por nuk kishte thënë se ka dëgjuar diçka të rëndësishme në këto përgjime. Më pas unë e zbulova nga një informator se Ilir Tolaj që ishte në burg e posedonte një telefon të cilin nuk duhej ta kishte. E mora një urdhër të gjykatës që ta përgjoja atë numër të telefonit dhe nga këto përgjime u bë e dukshme se gjyqtari Francesco Flori po takohej me ndërmjetësuesit e Ilir Tolajt”.

“Kishte ndodhur edhe një takim në ‘Villa Gërmia’ mes gjyqtarit Francesco Flori dhe shefes sime, kryeprokurores Jaroslava Novotna. I analizova përgjimet në detaje, ku kishte mbi 200 përgjime të rëndësishme. Në ato përgjime flitej se ata po i merrnin informacionet e rëndësishme në lidhje me vendimet dhe po mundoheshin që ta zhduknin këtë rast. Ata donin që gjyqtari Flori t’iu garantojë atyre që Ilir Tolaj do të lirohej dhe rasti do të zhdukej. Shihej qartë se ata po mundoheshin që të paguanin në mënyrë që t’i ikin drejtësisë”.

Tutje, ish-prokurorja deklaron se ndërmjetësuesit e Ilir Tolajt kishin në qeverinë e atëhershme një politikan të fuqishëm, i cili kishte nofkën “personi nga Kaltrina”, njofton Klankosova.tv.

“Po përpiqeshin ta kontaktonin njërin prej asistentëve të sigurisë të shefit të misionit në atë kohë dhe kishin një aleat të fuqishëm politik në Qeverinë e Kosovës të cilit në këto përgjime i referoheshin si ‘personi nga Kaltrina’”.

Ish-prokurorja e misionit të BE-së thotë se këto përgjime kishte tentuar t’ia tregonte personit kompetent në EULEX për të cilin thotë se e këshilloi që t’i “mbyll sytë” për këtë rast.

“U brengosa dhe shkova të takoj koordinatorin tonë me dy dosje të përgjimeve dhe ai thjesht nuk dëshiroi që t’i shoh apo t’i lexoj këto përgjime dhe më këshilloi ‘nëse do të isha në vendin tënd do t’i mbyllja sytë, sepse nuk ke mjaftueshëm prova’”.

Maria Bamieh, derisa punonte si prokurore në EULEX, kishte alarmuar për dyshime për korrupsion brenda këtij misioni ndërkombëtar.

Ditë më parë, ish-prokurorja Bamieh – që i ishte shkëputur kontrata parakohshëm për shkak të sinjalizimit – e fitoi rastin me qeverinë britanike e cila do t’ia paguajë asaj gjysmë milioni euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco