Kosova nuk u koordinua me aleatët për anëtarësim në KE, procesi mund të dështojë

Kosova nuk u koordinua me aleatët për anëtarësim në KE, procesi mund të dështojë

10:05, 18/06/2022

Optimizmi i ditëve të para për anëtarësim e Kosovës në Këshill të Evropës ka filluar të zbehet. Kjo pasi raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, po shpreh shqetësimin e saj se aplikimi për anëtarësim në këtë organizatë nuk është bërë në koordinim me aleatët strategjik. Brengen e njëjtë po e shprehin edhe partitë opozitare. Derisa njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë vlerësuar se pa koordinim me partnerët ky poçes është i dështuar  

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës po duket se nuk është bërë në koordinim të plotë me aleatët strategjik. Çdo ditë e më tepër po shtohen zërat që Kosova nuk i ka dëgjuar miqtë ndërkombëtare për kohen e aplikimit në këtë organizatë.

Këtë shqetësim të premten e ka shprehur edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Në llogarinë e saj në “Twitter”, ajo ka shkruar se shumë partnerë e kanë ftuar Kosovën që të mos aplikojë pa i siguruar votat.

“Edhe pse shumë njerëz e mbështesin aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ata të gjithë kanë këshilluar qeverinë që të presë për sa i përket dorëzimit të aplikacionit dhe të sigurohet që Kosova ka siguruar shumicën në Këshillin e Evropës. Pak a shumë të gjithë partnerët ndërkombëtarë e kanë thënë këtë”, ka shkruar Cramon.

Shqetësimin e njëjtë e kanë shprehur edhe partitë opozitare. Ndonëse këto parti kanë shprehur gatishmërinë ta ndihmojnë Kosovës në këtë proces, qeveria nuk ka nda asnjë informacion me ta.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë për gazetën Nacionale se po duket që Ministria e Punëve të Jashtme nuk është koordinuar me partnerët strategjik për këtë proces.  

“Përkundër vullnetit tonë të mirë për të ndihmuar në këtë proces, fatkeqësisht Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka ndarë asnjë informacion me ne për këtë proces, e fatkeqësisht po duket se nuk është koordinuar me partnerët tanë strategjik”, ka thënë ajo.

Sipas saj, qeveria është dashur të koordinohet me aleatët. “Aplikacioni për Këshillin e Evropës ka qenë gati. Për shkak të zhvillimeve në kontinentin tonë, me agresionin rus në Ukrainë, e rrjedhimisht përjashtimin e Rusisë nga KE, është krijuar një mundësi e artë për ne. Krejt çka është dashur të bëjë qeveria është koordinim me aleatët strategjik”, ka thënë ai, duke shprehu shqetësimin e saj për mungesën e koordinimit me aleatët.

“Pa koordinim me aleatët, procesi është i destinuar të dështojë”, është shprehur Çitaku.

As LDK-ja nuk ka informacione për koordinimin e Qeverisë me aleatët për këtë proces.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë për gazetën Nacionale se kjo parti është duke u angazhuar maksimalisht në këtë proces. “LDK është duke u angazhuar maksimalisht në shfrytëzimin e rrjeteve të saja për lobim në këtë drejtim. Edhe në Kongresin e EPP në Rotterdam, Kryetari Abdixhiku i ka ftuar gjithë anëtarët e EPP, që njëkohësisht përbejnë edhe shumicën e votuese, të mbështesin këtë nismë të drejtë të Republikës së Kosovës. Tani është koha që të mobilizojmë të gjitha burimet në këtë drejtim. Anëtarësimi ynë në KE, i shërben demokracisë së gjithëmbarshme”, ka thënë Halimi.

Kosova s’mund të bëhet anëtare e KE-së me kundërshtimin e Francës

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë vlerësuar se Kosova duhet të këtë kujdes me Francës, e cila është shprehur skeptike me aplikimin e Kosovës në KE.

Profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë për Nacionale se me kundërshtimin e Francës Kosova nuk mund të bëhet anëtare e KE-së.  “Nuk bëhet fjalë për rivalitet ndërevropian rreth Kosovës dhe vendit të saj në Këshillin e Evropës. Pozicioni i Francës diktohet nga dinamikat populiste të brendshme, më shumë se nga orientimi i saj kundrejt Ballkanit: e djathta ekstreme e ka paraqitur dhe e paraqet Ballkanin si vend me telashe dhe si një barrë evropiane, nga e cila Franca duhet të distancohet dhe të mos bëjë shumë për të. Këtë duhet ta ketë parasysh Kosova dhe të punojë fort me Francën, sepse me kundërshtimin e Francës asnjëherë nuk bëhemi anëtarë të Këshillit të Evropës”, ka thënë ai.

Edhe politologu Avdi Smajljaj mendon se Kosova e ka gabuar kohën e aplikimit për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Ai ka deklaruar për gazetën Nacionale se koha e gjatë do t’i mundëson Serbisë të punoj kundër Kosovës.  “Nga ajo që është raportuar, aplikimi ka qenë i inkurajuar nga zëra nga shtetet mbështetëse siç është Gjermania, për te shfrytëzuar rastin kur Rusia është pezulluar si anëtare nga KiE. Siç duket ka pasur konsultime qe duhet aplikuar, por jo edhe për kohen më të përshtatshme për aplikim. Sidomos kur koha derisa mund të përfshihet në rend dite është shumë vonë krahasuar me dorëzimin e aplikacionit. Kjo i ofron mundësi Serbisë për tu përgatitur për pengimin e sigurimit te votave te mjaftueshme”, ka thënë Smajljaj.

Sipas tij, mos koordinimi me aleatët mund t’i kushtojë Kosovës.

“Kosova do te duhej bërë me një plan të qartë jo vetëm aplikimin por edhe kohen e përshtatshme për aplikim. Ky mos koordinim i duhur me shtetet mbështetëse mund të jetë kundër produktiv në procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE”, është shprehur ai.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,  Donika Gërvalla, pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim pati deklaruar se hapi i madh është bërë në koordinim me aleatët.

Mirëpo, shumë shpejta Franca e kishte demantua, duke shprehur skepticizimin e saj në këtë proces.

Përmes një reagimi, Ambasada e Francës në Kosovës, pati vlerësuar se vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran, duke e cilësuar aplikimin si veprim të njëanshëm. “Prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre europian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të investojnë plotësisht në këtë dhe të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë tensionet”, është thënë në reagimin e ambasadës franceze.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco