Liberalizimi i vizave për kosovarët: Presidentja Osmani e rezervuar, analistët skeptik

Liberalizimi i vizave për kosovarët: Presidentja Osmani e rezervuar, analistët skeptik

09:48, 18/06/2022

Tema e përfolur gjatë në skenën politike, liberalizimi i vizave, do të flitet edhe në Samitin e 23 qershorit, e ku takohen vendet e Bashkimit Evropian. E dje, shpresat e kosovarëve se për këtë çështje, i ka rritur jashtëzakonisht shumë përfaqësuesi special për dialogun me Bashkimin Evropian, Miroslav Lajçak, i cili deklaroi se liberalizimi i vizave për Kosovën është  “afër”.

“Sërish, ka një mendim mjaft të palëkundur mes shteteve anëtare të BE-së që Kosovës i duhej dhënë liberalizimi i vizave shumë kohë më parë. Nuk ka asnjë dyshim që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të hequr sistemin e vizave dhe problemi qëndron sërish tek mungesa e konsensusit. Por mund të them që kjo problematikë po ngrihet mes vendeve anëtare shumë më shpesh, gjatë takimeve të organeve të ndryshme evropiane ndaj mendoj se është afër. Nuk guxoj të them një datë por ajo po vjen dhe këtë e them me siguri të plotë”, tha Lajçak.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është deklaruar rreth liberalizimit të vizave, teksa është parë e rezervuar, duke thënë se çështja e liberalizimit të vizave është në duart e vendeve individuale të BE-së.

“Është shumë vështirë, përderisa kjo çështje është tërësisht në vullnetin individual të shteteve anëtarë veç e veç, që përgjigjen përfundimtare për këtë ta jep Kosova. Sepse ka shumë aspekte që merren parasysh në marrjen e një vendimi të tillë, sa i përket liberalizimit. Por, asnjëra në fakt nuk kanë të bëjnë me kriteret që duhet t’i plotësojë Kosova, sepse ato janë plotësuar shumë vite më parë, e janë rikonfirmuar që një kohë të gjatë”, tha Osmani për Dukagjinin.

Sipas hulumtuesit Arbër Fetahu, mundësitë që Kosovë të marrë dritën e gjelbërt këtë vit mbesin të ngjashme,  sikurse vitet e kaluara.

“Situata me liberalizimin e vizave është sic ka qenë në të kaluarën. Pra, Komisioni Europian ka rekomanduar që Kosovës t’i liberalizohen vizat pas përmbushjes së kritereve, dhe Parlamenti Evropian e ka votuar këtë rekomandim. Në anët tjetër Këshilli i Ministrave të BE-së nuk e ka çuar tutje trialogimin me Komisionin dhe Parlamentin për ta votuar më pastaj pozicionin e Komisionit dhe Parlamenit që është pozitiv për vizat”, deklaroi Fetahu

Sipas tij, në mungesë të të dhënave të besueshme, është vështirë të spekulohet mbi rezultatin e këtij procesi, para takimeve të javës së fundit të muajit qeshor.

“Pasi që informacionet zyrtare janë të mangëta, nuk do të doja të lëshohem në spekulime shpresëdhënëse të pabazuar, pasi që Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ka ditur të na zhgënjejë për vizat. Por, nëse bazohemi në një momentum gjeopolitik, në zhagitjen e procesit të vizave, në nevojën e BE -së për të qenë një aktor që edhe shpërblen kur ka progress, atëherë ka potencial që kjo cështje të shkoj para”, shtoi Fetahu

Një vendimmarrje pozitive brenda BE-së, gjatë takimit të javës së ardhshme, si problematik e vëzhgon edhe njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula.

“Organizimi institucional i BE-së është supra-nacional, me një vendim-marrje jo të unifikuar për shumë tema, e specifikisht kur flasim lidhur me Kosovën. Statusin juridik e politik të Kosovës nuk e kanë njohur akoma BE-ja, duke mbajtur një qëndrim politikë neutral; kështu duke e lënë njohjen, në vullnetin e shteteve anëtare të saj, e deri më tash, kemi pesë vende anëtare të cilat akoma nuk e kanë njohur mëvetësinë e Kosovës dhe krejt natyrshëm që kjo vazhdon të paraqes sfidë të rëndë për Kosovën dhe institucionet e saj edhe kur vie momenti i vendim-marrjes për heqjen e regjimit të vizave”, ka thënë Pula për Nacionalën.

Tash e disa vite, thirrjet afirmuese që Parlamentit Evropian lëshon në çështjen e liberalizimit të vizave të Kosovës, nuk përligjën vendimin për liberalizim, sipas disa shteteve anëtare. Ngjashëm, vendimmarrjes nuk i ndihmonte as rekomandimi i Komisionit Evropian, që pahtësonte faktin se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Procedurat e mëtejshme

Në përgjigjen e tij Arbër Fetahu, ka shpjeguar procedurat që do të ndërmerren tutje.

“Pasi që Komisioni dhe Parlamenti e kanë dhënë pozcicionin e tyre për vizat, tash i mbetët Këshillit që të miraton pozicionin negociues që i hapë rrugë trialogut mes Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit, ku dakordohet për përmbajtjën e tekstit dhe hidhet në votim. Pasi të ketë dakordim propozimi që Kosovës t’i liberalizohen vizat hidhet në votim në Parlament ku nevojitet një shumicë e kualifikuar”, tha ai.

Por, në Këshill kërkohet një shumicë e kualifikuar.

“Megjithatë edhe Këshilli duhet ta votojë propozimin me shumicë të kualifikuar të BE-së apo 55% të vendeve të BE-së që përfaqësojnë 65% të popullësisë. Nëse që nga 23 qershori ka pajtim për rekomandim dhe shkohet me procedura tutje, ky process deri në liberalizim mund të marr 6 deri në 9 muaj kohë. Qe i bije dikund në fillim të vitit 2023 Kosova ta ketë lirinë e lëvizjes në zonën Shengen” shpjegoi Fetahu.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike Shqiprim Pula pohon se do të befasohej nëse pas trajtimit afirmues të temës së liberalizimit të vizave nga institucionet e BE-së, kosovarët do të mund të arrinin të lëviznin lirshëm brenda këtij viti.

“Po ndodhi një vendim-marrje me 23 Qershor, përsa i përket heqjes së regjimit të vizave ndaj vendit tonë, atëherë, do të nënkuptonte që hezitimi i disa vendeve anëtare të UE-së (Franca, Holanda e Belgjika), ka ndryshuar, dhe ka një kthesë pozitive për të mundësuar që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë mundësi të lëvizim lirshëm brenda zonës Schengen. Më pas, procedurat që duhet të ndiqen, fillimisht brenda UE-së e mëpastaj tek shtetet anëtare veç e veç, por që gjasat janë pak për të mos thënë aspak reale, që një gjë e tillë të ndodh brenda këtij viti kalendarik”, përfundoi Pula 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco