Për katër muaj shtatë vrasje: Fajtori, institucionet për mosreagim

Për katër muaj shtatë vrasje: Fajtori, institucionet për mosreagim

08:25, 04/06/2022

Shtatë vrasje kanë ndodhur vetëm në katër muajt e parë të këtij vit në Kosovë.

Por sipas Policisë numri i vrasjeve ka pësuar rënie për 6.89%.Nga ky institucion në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online kanë konfirmuar se vrasjet kanë ndodhur në rajone të ndryshme dhe atë tri në Prishtinë, tri poashtu në Pejë dhe një në Mitrovicën e jugut.

Sipas ekspertëve, rritja e numrit të vrasjeve është si pasojë e mosfunksionimit efektiv i institucioneve të shtetit, si Policisë, Prokurorisë e gjykatave.Ata madje thonë se ka raste kur kryesit e veprave janë të “privilegjuar” nga institucione, shumë shpesh edhe për shkak të lidhjeve që kanë.

Por ata thonë se edhe mungesa e psikologëve në shkolla e mosedukimi i duhur e ndihmon edhe më shumë këtë dukuri negative.

Bedri Elezi, njohës i çështjeve të sigurisë në një intervistë për Ekonomia Online tha se numri i vrasjeve po rritet çdo vit e më shumë.

Ai thotë se shumica e personave që kryejnë vrasje kanë edhe vepra të tjera penale, duke shtuar se personat në fjalë janë të “lazdruar” e “privilegjuar” nga institucionet për shkak të lidhjeve, apo edhe fuqisë materiale që ata kanë.

“Vërtetë është një shqetësim serioz çështja e vrasjeve nga të rinjtë, qërimi i hesapeve mes tyre në këto kohëra. Kemi një numër mjaft të theksuar i cili çdo vit po ngritët dhe është një shqetësim serioz që të rinjtë po arrijnë të mbajnë, të posedojnë armët me të cilat edhe po i kryejnë këto vepra”.

“Ne e kemi parë rastin që shumica e personave që kanë kryer vrasje kanë pasur edhe vepra të tjera penale. Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit po edhe gjykatat si duket personat të cilët kanë ndonjë lidhje në këto institucione apo kanë të mira materiale që janë fuqishëm ekonomikisht janë të lazdruar, të privilegjuar dhe ato arrijnë të marrin guximin e të shkojnë deri në ato veprime”.

Përderisa psikologu, Ilir Havolli për Ekonomia Online tha se vrasja mund ta ketë zanafillën në të kaluarën, e akumulimi i problemeve shpije deri të një akt i tillë.

Ai përmend faktorët që mund të ndikojnë që personi të kryej një vepër të tillë siç janë çrregullimet psikologjike, problematikat e ndryshme mjekësore dhe situatat e ndryshme jetësore.

“Zakonisht ky numër i madh i vrasjeve që po ndodh tani zanafillën mund ta ketë diku në të kaluarën duke pasur parasysh që individët gjatë tërë jetës së tyre kalojnë nëpër situata dhe ngjarje traumatike dhe grumbullimi i këtyre situatave dhe ngjarjeve traumatike bënë që me një moment akumulimi i tyre të shpërthej dhe të paraqitet në formën e sjelljeve agresive, të dhunës dhe sjelljeve fatale që është vrasja”.“…

Ai konsideron se nëse do të kishte psikologë në shkolla do të identifikoheshin më herët këta persona dhe në këtë mënyrë do të minimizoheshin edhe rastet që të shpien deri në vrasje.

“Ekziston një lidhje direkte mes edukimit të familjes dhe shtetit. Duhet pasur parasysh që sikur të kishim psikolog nëpër shkolla atëherë këto rast do të ishin minimizuar për faktin se këta fëmijë do të identifikoheshin qysh në moshën e hershme dhe do të kishin filluar edhe përpunimi i traumave të ndryshme të cilat kanë zanafillën që nga fëmijëria”.

Edhe sociologu Bekim Selishta, për Ekonomia Online tha se duhet të merret seriozisht edukimi i të rinjve sa i përket këtij fenomeni.

“Ky fenomen tek ne që është në rritje, nuk është që veç sot duhet ta diskutojmë ose me u marr me këtë fenomen po këtu vyen një studim më i thellë e më i gjatë. Disa herë e kam potencuar, edhe para 10 viteve e kam diskutuar punën e vrasjeve që duhet të merren më seriozisht me edukimin tek të rinjtë”.

Sipas Selishtës, përpos edukimit, Prokuroria dhe gjykatat duhet të jenë më efektive e të reagojnë sa më herët që është e mundur e të dënohen personat që kanë kryer vepra penale të tjera.Ai thotë se nëse do të funksiononte sistemi i drejtësisë si duhet numri i vrasjeve nuk do të ishte kaq i lartë, raporton EO.

“Këtu janë disa mori problemesh, nuk mundet me qenë veç edukimi po një nga faktorët që ndikon tek vetëdijesimi është edukimi, por e ke edhe anën tjetër mospenalizmi i duhur dhe në kohë i kriminelëve. Ai që bënë vrasje për mua është kriminel, ai që disa herë ka qenë delikuent ai duhet të penalizohet. Nuk mundet me qenë disa herë i pafajshëm edhe nëse ka qenë pjesë e disa problemeve delikuente”.

“Kur nuk shkojnë gjërat mirë, në shtetet stabile ose shtetet ku ligji funksionon si duhet e shumë sisteme të tjera të drejtësisë e policisë, nuk është kaq i lartë numri i vrasjeve”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco