Kryetari i Sindikatës së Policisë: Nën 600 euro, paga minimale për polic do të jetë e papranueshme

Kryetari i Sindikatës së Policisë: Nën 600 euro, paga minimale për polic do të jetë e papranueshme

22:50, 02/06/2022

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se për një polic paga minimale nën 600 euro do të jetë e papranueshme.

Zeqiri teksa ka folur për Ligjin e Pagave ka thënë se Sindikata e Policisë ka kërkuar ngritje të koeficientit.

“Po e presim edhe vlerën e koeficientit dhe sa janë përfillur kërkesat tonë dhe nëse nuk janë përfillur për mendimin tim do të jetë një ligj që nuk do të kalojë. Unë kam thënë që për një polic paga minimale nën 600 euro për neve do të jetë e papranueshme”, ka thënë Zeqiri.

Tutje ai ka thënë se paga bazë e një polici aktualisht është 392 euro, që sipas tij kjo pagë është jashtëzakonisht modeste.

“Për shkak të vlerës së koeficientit nuk kemi mundur të përcaktojmë se sa do të jetë paga e një polici, ndërsa paga bazë e policit aktualisht është 392 euro. Është një pagë jashtëzakonisht modeste duke mos llogaritur shtesën e rrezikshmërisë e marrin Policia”, ka thënë tutje kryetari i Sindikatës së Policisë.

Zeqiri ka shpjeguar se shtesat që marrin policët nga rrezikshmëria ndryshon varësisht nga pozita.

“Një zyrtar policor që punon në administratë e ka rrezikshmërinë 105 euro, polici patrullues e ka 140 euro, hetuesi e ka 180 euro dhe Njësia Speciale e ka 200 euro shtesën në rrezikshmëri”, ka thënë ai.

Zeqiri në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se ajo çfarë është paraqitur në Ligjin e Pagave gjatë projektimit ka qenë e papranueshme për Policinë e Kosovës.

“Neve gjatë projektimit na kanë thirrur dhe kemi diskutuar dhe ajo çfarë na është paraqitur për neve si Sindikatë ka qenë e papranueshme, ju kam thënë që është diskriminues për Policinë e Kosovës. Kemi premtime se diçka është përmirësuar por nuk e dimë se çfarë. Për secilën pozitë dhe secilën gradë kemi arsyetuar që kemi kërkuar koeficientin e duhur”, ka shtuar Zeqiri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco