Erdogan ende kundër anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO

Erdogan ende kundër anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO

16:18, 29/05/2022

Presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdogan, ka thënë se ai ende synon të bllokojë pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Erdogan tha se takimet këtë javë me delegacionet finlandeze dhe suedeze nuk kishin qenë “në nivelin e pritur”, duke vënë në dukje se nuk kishte asnjë hap për të lehtësuar shqetësimet e sigurisë së Turqisë.

“Për sa kohë që Taip Erdogan është në krye të Republikës së Turqisë, ne nuk mund t’u themi ‘po’ vendeve që mbështesin terrorin për t’u bashkuar me NATO-n”, u tha Erdogan gazetarëve në aeroplanin e tij, pas një vizite në Azerbajxhan.

Erdogan iu referua një interviste në televizionin shtetëror suedez me Salih Muslim, një anëtar i administratës kurde siriane në Sirinë verilindore, natën e takimit të delegacionit. Ai e përmendi këtë si dëshmi të mbështetjes së Suedisë për militantët kurdë sirianë, që Turqia i sheh si një zgjatim i një grupi të jashtëligjshëm kurd që ka udhëhequr një kryengritje kundër Turqisë që nga viti 1984.

Ai akuzoi gjithashtu Gjermaninë, Francën dhe Holandën se kanë kryer “të njëjtin gabim, mbështetjen e terrorit”.

Njësitë e Mbrojtjes së Popullit kurdë të Sirisë përbëjnë shtyllën e forcave të udhëhequra nga ShBA, në luftën kundër të ashtuquajturit “Shteti Islamik”.

Ankaraja ka udhëhequr gjithashtu operacione ndërkufitare në Siri, për të larguar Njësitë e Mbrojtjes së Popullit kurdë të Sirisë nga kufiri i saj, raporton Breakingnews, transmeton Klankosova.tv.

Të gjithë anëtarët e NATO-s duhet të miratojnë ofertën historike të dy vendeve nordike për t’u bashkuar me aleancën, e nxitur nga alarmi për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Turqia, e cila komandon ushtrinë e dytë më të madhe në aleancë, ka thënë se nuk do të lejojë pranimin e tyre nëse nuk ndërmerren hapa, duke përfshirë heqjen e kufizimeve për shitjen e armëve në Turqi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco