Lëmosha 100 euro i del për hundësh Albin Kurtit

Lëmosha 100 euro i del për hundësh Albin Kurtit

14:00, 12/04/2022 Nga A.S

Kohë krize e ka kapluar botën, ama Kosova po e ndien deri në palcë situatën e vështirë. Lehtësira nga Qeveria po tentohen të bëhen. Nga 100 euro për muajin prill po thuhet se do t’i ndahen disa kategorive duke filluar nga përsonat në asistencë sociale, pensionistët, studentët, punëtorët e sektorit publik e privat. Por kjo nismë nuk është se po mirëpritet aq nga njohës të fushës në vend, shkruan Syri net Kosova.

Është drejtori i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi ai që i ka dhënë kritikë këtij vendimi.

Demi me anë të një shkrimi në Facebook ka pyetur se nëse Qeveria ka për synim t’i ndihmoj grupet e cenuara shoqërore për shkak të çmimeve, atëherë përse të futen me një thes edhe ata që kanë paga të larta.

“E pse? Nuk zmbrapsen kërkesat populliste për paga e pensione, duke marr vendime po aq populliste. Nëse Qeveria ka synim t’iu ndihmoj grupeve të cenuara shoqërore për shkak të çmimeve, përse me i fut të gjithë me një thes? Pse me i marr 100 euro si ata 2 për qind e punëtorëve që kanë paga shumë të larta, si ata që luftojnë për rritje të pagës minimale?”, ka shkruar mes tjerash ai.

Edhe analisti ekonomik, Ilir Ibrahmi ka kritikuar kryeministrin e Kosovës duke thënë se shteti nuk mbahet me vitra. Sipas tij, Qeveria ka disa individë të cilët i kuptojnë ndryshimet e mëdha ekonomike nëpër të cilat po kalon bota.

“Shteti as nuk mbahet as nuk bahet me vitra kryeministër. Kur bota po kalon nëpër ndryshimet më të mëdha ekonomike, Kosova duhet ta shfrytëzoj dhe ta zërë vendin e vet në këto ndryshime. E di që i ke minimum 3 individë në qeveri që të paktën kanë lexuar teori se si mund të shfrytëzohen këto mundësi e këto momente”, ka shkruar ai.

Edhe ekonomisti Mustafë Kadiraj duke folur për Syri net Kosova ka thënë se Qeveria me këtë masë vetëm po mashtron qytetarët dhe s'po bën asgjë për ngjalljen e ekonomisë.

"Çdo pagesë në llogari të qytetarëve është e mirëseardhur për faktin që sado pak për një muaj bëhet një zgjidhje momenti. Por duhet ta kemi të qartë se ka dallim jashtëzakonisht të madh mes pagave në sektorin publik e privat. Kjo masë mundet me ndiku për dy kategori studentët dhe pensionistët dhe është e mirëseardhur, por tek punëtorët kjo nuk bën zgjidhje. Qeveria vetëm po mashtron dhe nuk është një pako sociale së paku për 3 muaj, dhe po shihet që kjo Qeveri nuk ka për synim ringjalljen ekonomike. Kjo nuk i bën mirë qytetarit e as ekonomisë së vendit", është shprehur ai.

Se ky vendim nuk është i duhuri po e thotë edhe Ismet Kryeziu nga KDI. Sipas tij këto të holla do të duhej të shkonon si ndihmë për të papunët.

“Nëse punonjësve në institucionet publike apo private do t'u jepet një ndihmë ekonomike shtesë prej 100 euro?! Çfarë ndodh me kategorinë e atyre që nuk janë në punë?”, ka shkruar ai në Facebook.

 

Pakos së re financiare si ndihmë nga Qeveria kritikë po i jep edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, Ai po e quan këtë veprim ‘ad hoc’ që nuk zgjidh problemet e qytetarëve në një periudhë afatmesme. Ai madje, ka thënë se ky vendim është si mungesë e politikave ekonomike dhe zhvillimore nga ana e ekzekutivit.

“Ky vendim është më shumë veprim për të qetësuar situatën e krizën për një periudhë të shkurtër kohore, po pa efekte në periudhën afatmesme dhe afatgjate. Mendoj që fillimisht është dashur të dëgjohen kërkesat e sektorit privatë, propozimet e akterëve dhe ky vendim nuk e adreson problemin për një muaj ose dy, por duhet veprime për një periudhë më të gjatë….”

E ndërsa kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi po kërkon që kjo të mos mbetet ndihmë e përkohshme për qytetarët.

“Ne mendojmë se janë dy në këtë çështje përderisa ne si sindikatë mendojmë se edhe 10 cent nëse Qeveria e Kosovës ndan për punëtorët është një diçka për të cilën e ndjen se ka obligim ose do t’a zbutë gjendjen. Megjithatë ne luftojmë që këto zgjidhje të bëhen të përhershme dhe jo të përkohshme”, ka është shprehur ai.

Kurse është dikush që po i thotë ‘bravo’ këtij vendimi dhe që po pret zbatim të tij. Nga  BSPK-ja të cilët ditë më parë kishin të njejtën kërkesë, po e mirëpresin shtesën prej 100 euro për muajin prill.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco