'Fluturon' edhe armatura, çmimet e ndërtimit bëhen ‘xehër’ mbi kokë të kosovarëve

'Fluturon' edhe armatura, çmimet e ndërtimit bëhen ‘xehër’ mbi kokë të kosovarëve

20:31, 06/04/2022

Jo veç vaji, mielli e produktet e tjera ushqimore. Ngritje ka shënuar edhe materiali ndërtimor, e si rrjedhojë e kësaj, edhe metri katror i banesave në qytetin e Prishtinës. Lufta në Ukrainë ndikoi dukshëm edhe në atë që quhet kulm mbi kokë. 

Nga Shoqata e Ndërtuesve të Kosovës tregojnë se në çka po prekë më së shumti ngritja e çmimeve, ndërkohë që ka prej qytetarëve që rrëfejnë se si po detyrohen të ballafaqohen me shitje, apo blerje të banesave në këtë periudhë.

Materiali bazë i ndërtimit, hekuri prej se kur ka nisur konflikti në Ukrainë është ngritur në çmim prej 870 eurove, në 1350.

Kështu thotë për Periskopin kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Kosovës, Faton Hoxha.

"Shumica e materialeve ndërtimore ose e materialeve bazë janë ato për të cilat çmimin e përcakton berza ndërkombëtare. Deri tash nuk kemi pasë asnjëherë kaq shumë ngritje. Hekuri p.sh deri më 22 shkurt, kur ka fillu konflikti në Ukrainë, ka qenë 870 euro, e tash është 1300, 1350 euro toni. Që është për 50 për qind më shumë", ka thënë Hoxha për Periskopin.

Ai u ndal edhe tek materiali i quajtur armaturë. Sipas tij, çmimi i është ngritur 250 për qind.

‘’530 euro ka qenë në fillim të pandemisë toni, e tash është 1250 euro. Që i bie për 250 për qind më shumë. Nëse konflikti vazhdon, fabrikat nëpër Evropë janë të varura prej materialeve bazë, ose lënda e parë, prej Ukrainës dhe Rusisë. Përveç që është çmimi i lartë, ka edhe mungesë të materialeve.’’, shtoi ai.

E nëse ka ndërtues që kanë ndalur punimet shkak i krizës, kryetari Hoxha thotë se deri tash nuk është vërejtur që ndonjë objekt ka mbetur në gjysmë.

‘’Nuk e kemi parë që në ndonjë objekt janë ndaluar punimet. Normalisht që kjo ka me sjellë çregullim sepse nëse 1 metër katror në Prishtinë ka qenë mesatërisht 350 për metër, tash kostoja ka me qenë diku te 450 euroshi. Kjo rrjedhimisht e shton edhe çmimin e banesave, e që deri tash për 200 euro është shtrenjtu këtu në Prishtinë’’, përfundon ai.

Banori i Prishtinës që po e ngrit çmimin e banesës për herë të parë pas katër viteve

‘’Që katër vite e kam në shitje banesën prej 85 metra katror në lagjen Dardania në Prishtinë. Prej fillimit, çmimin e kam pasë fiks 135 mijë euro. Me rritjen e çmimit të materialeve ndërtimore, sot më është dasht me refuzu shitjen e banesës me këtë çmim sepse plani im ka qenë ta shesë banesën dhe të ndërtoj një shtëpi.’’, ky është rrëfimi i A.D nga lagjia ‘’Dardania’’ e Prishtinës.

Do banesë, por shumë shtrenjtë

E banore rezidente, me një kulm legal mbi kokë po do që të bëhet L.A që tash e mbi 10 vite jeton me qera në Prishtinë.

Ajo thotë se ka qenë e interesuar për blerje të banesës në ‘Rrugën C’, por është ‘traumatizuar’ nga çmimet.

‘’Unë kam qenë e interesuar të  blej së shpejti një banesë dy dhomëshe në Prishtinë. Kam këqyr në rrugën C, mirëpo jam habitur me çmimin prej 94 mijëve eurove që më është ofruar në atë rrethinë. Për çka vlerësoj që nuk i ka hak, duke psë parasysh edhe infrastrukturën atje ‘’.

Kosova është importuese e pothuajse të gjitha materialeve ndërtimore dhe çdo ndryshim i çmimeve në botë ndikon edhe këtu.

Në vitin 2021, Kosova, sipas të dhënave nga Doganat, kishte importuar material ndërtimor në vlerë prej mbi 460 milionë eurosh. Materialet ndërtimore importohen kryesisht nga fqinjët: Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, por edhe nga vende të tjera.

Vetëm materialet ndërtimore, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë shtrenjtuar për mbi 20 për qind.

 

 

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco