Jo veç deputetët, edhe burri i Vjosa Osmanit bën kërdi me paratë e popullit të Kosovës (Dokument)

Jo veç deputetët, edhe burri i Vjosa Osmanit bën kërdi me paratë e popullit të Kosovës (Dokument)

11:39, 04/02/2022

Kritikat e shumta që i morën nga qytetarët i detyruan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, pas publikimit të kompensimeve për derivate, që të heqin dorë nga ky privilegj.

Por, është edhe dikush tjetër, që nuk e lë asnjë rast t’i ikë pa u kompensuar.

Për këtë praktikë të kompensimit dhe rimburësimeve, Zotëriu i Parë i shtetit u jep “shkollë” të gjithë deputetëve në Kosovë.

Dhe, natyrisht jo vetëm për derivate, pasi që njeriu që shteti e ka Zotëri të Parë i ka rimburësuar pjesërisht edhe shpenzimet e tij të shërimit nga Covid-19.

Sadriu, i cili është i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, rezulton të jetë një prej diplomatëve më të privilegjuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme edhe para se të ngarkohej me punët e ambasadorit në misionin diplomatik në Shkup.

Demokracia.com kishte publikuar shkresat ku kundërligjshëm kërkohej që Sadriut t’i mbuloheshin edhe shpenzimet e derivateve për vajtje-ardhjet e tij nga Prishtina në Shkup dhe anasjelltas, pasi që nuk ishte akomoduar atje për shkak të “specifikave familjare dhe atyre të sigurisë”.

Demokracia.com kishte publikuar edhe një kërkesë tjetër të Prindon Sadriut, të bërë më 10 mars 2020, për aprovimin e shpenzimeve të derivateve për shkuarjen e tij në punë në Shkup.

Kjo kërkesë ishte aprovuar nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 01/2018 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2012 për Shpenzimet Personale dhe Operacionale në Misionet Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës.

Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së përmes një emaili, më 2 mars 2020, asokohe i kishte kërkuar Ambasadorit të Kosovës në Shkup, Gjergj Dedajt, që t’ia ofronte Prindon Sadriut mundësinë e shfrytëzimit të karburantit përmes procedurave të ambasadës, deri në gjetjen e banesës për akomodim.

Pas kësaj kërkese të MPJ-së drejtuar ish-ambasadorit Gjergj Dedaj, pak ditë më vonë edhe vetë Sadriu i ishte drejtuar Dedajt, duke kërkuar nga shefi i tij që t’ia aprovonte shpenzimet e derivateve për ardhjen në punë në mungesë të akomodimit në Shkup, sipas kërkesës së aprovuar paraprakisht nga Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së.

Kjo kërkesë, sipas Prindon Sadriut, po bëhej deri në përmbylljen e procedurave të akomodimit, sipas specifikave familjare, por edhe të sigurisë.

Megjithatë, bazuar në udhëzimin administrativ që e rregullon këtë çështje, specifikisht në pikën 7.4 të tij, kjo gjë nuk është e lejueshme.

“Ministria nuk mbulon shpenzimet e transportit publik të stafit të misionit diplomatik dhe konsullor për vajtje-ardhje në punë. Lejohet mbulimi i shpenzimeve për transportin, vajtje-ardhje në punë të personelit vendor, vetëm kur kjo është e detyruar me legjislacionin vendor”, thuhet në pikën 7.4 të Udhëzimin Administrativ 01/2018 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2012 për Shpenzimet Personale dhe Operacionale në Misionet Diplomatike dhe Konsullore, raporton Demokracia.com.

 

Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, kishte përfituar nga buxheti i shtetit edhe nga rimburësimi i pjesshëm i shpenzimeve për trajtimin e virusit COVID-19. Sadriu, ndonëse sipas faturave të dorëzuara shihet se shpenzimet i kishte bërë në Prishtinë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kundërligjshëm ia kishte aprovuar edhe kërkesën për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e infektimit me Covid-19.

Se Sadriu nuk lëshon raste për të përfituar nga të qenit në pushtet e vërteton edhe kërkesa e tij për ministrin Xhelal Sveçla. Zotëriu i Parë i kishte kërkuar Sveçlës që veturës private të babait të tij, Skender Sadriut, të cilës si duket ia kishin vendosur kundërligjshëm folien me ngjyrë të errët në xhamat e përparmë dhe të pasmë, ndryshimi t’i evidentohet edhe në Certifikatën e Regjistrimit të Automjetit. Sadriu këtë e kishte arsyetuar, duke thënë se automjeti i vjehrrit të presidentes Osmani përdoret në raste të rralla edhe nga vetë e para e shtetit.

Pavarësisht që shumë qytetarë të Kosovës dënohen për vendosjen e xhamave të errësuar në automjete dhe u lejohet vetëm kur veturat janë të prodhuara me xhama të errësuar, kjo si duket nuk vlen edhe për familjen e bashkëshortit të presidentes Osmani.

Demokracia.com ka publikuar shkresën e Prindon Sadriut, i cili në cilësinë e Zotëriut të Parë i është drejtuar direkt ministrit Sveçla me këtë kërkesë.

“I nderuar Ministër Sveçla: Me shpresën të jeni mirë, në cilësinë e Zotërisë së Parë të Republikës së Kosovës ju kërkoj me konsideratë aprovimin e kërkesës për evidentimin në Certifikatën e regjistrimit të automjetit të folies me ngjyrë të errët të xhamave të përparmë dhe të pasmë të veturës e cila shfrytëzohet nga unë, fëmijët dhe në raste të rralla edhe nga vet Presidentja. Kjo kërkesë bëhet për shkaqe të sigurisë. Ju njoftoj gjithashtu që vetura në fjalë është në shfrytëzim nga babai im me qenë se nuk posedojmë veturën tonën familjare. Prandaj, me konsideratë kërkoj aprovimin e kërkesës në fjalë duke ushtruar diskrecionin tuaj sipas praktikave paraprake nga MPBAP. Detajet e veturës i gjeni të bashkangjitura në Certifikatën e regjistrimit të automjetet të bashkangjitur”, thuhet në kërkesën e Zotëriut të Parë për ministrin Sveçla, e cila përfundon me nderimet e Sadriut.

Demokracia.com po ashtu kishte siguruar edhe Certifikatën e Regjistrimit të Automjetit, ku shihet se bëhej fjalë për një Mercedes C 200 CDI, tip karavan, me vit të prodhimit 2008, në emër të vjehrrit të presidentes Osmani, Skender Sadriut.

Vlen të përmendet se Skender Sadriu, vjehrri i presidentes Osmani, nuk drejton veturë zyrtare dhe nuk i lejohet vendosja e xhamave të errësuar.

Kjo është e rregulluar me ligjin NR. 02/L-70 Për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, sipas pikës (e), të nenit 200.1.

Presidentja Osmani dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, aktualisht nuk kanë vetura personale dhe kështu figuron edhe në raportimin e tyre të pasurisë për vitin 2021. Megjithatë, Sadriu në vitin 2020 kishte deklaruar se posedon veturë në vlerë 7 mijë euro, të cilën kishte deklaruar se e ka blerë si ndërrim me automjetin paraprak, por ai nuk ka dhënë asnjë sqarim në vitin 2021 lidhur me të.

Në vitin 2021, vetura nuk është raportuar fare nga Sadriu, derisa nuk përmendet as në dokumentet e pasurisë së tij në Agjencinë Kundër Korrupsion nëse e njëjta është shitur ose jo.

Ndryshe, të enjten është publikuar lista e dhjetëra deputetëve që janë kompensuar për shpenzimet e derivateve, për arsye të udhëtimeve nga qytetet e tjera për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

Sipas raportit, për periudhën nëntor-dhjetor të vitit 2021, një deputet ka shpenzuar deri në 870 euro për karburante.

Për udhëtimet e deklaruara nga Podujeva, Agim Veliu i LDK-së për dy muaj ka marrë 340 euro e Valon Ramadani i Vetëvendosjes nga Ferizaj 320 Euro.

Edhe për të tjera distanca relativisht të shkurtra si Vushtrria e Lipjani, deputetët janë kompensuar për të ardhur në seanca e komisione.

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka marrë 290 euro kompensim për dy muaj, ndërsa Besim Muzaqi nga Vushtrria ka marrë 170 euro.

Nga i njëjti vend, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, për periudhën kohore nëntor-dhjetor ka marrë 150 euro, ndërsa bashkëvendasja e saj Fjolla Ujkani ka marrë 170 euro dhe Gazmend Gjyshinca 140 euro.

Ish-drejtori i Policisë, tani deputet nga radhët e PDK-së ka marrë 90 euro për udhëtimin e tij nga Lipjani.

Nga shpenzimet e publikuara shihet se më së shumti kanë marrë deputetët që vijnë nga Gjakova e Prizreni, deri në 870 euro për dy muaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco