Shuhen shpresat: Veriu nuk është as në plan të faturohet për shpenzim të energjisë

Shuhen shpresat: Veriu nuk është as në plan të faturohet për shpenzim të energjisë

11:03, 28/01/2022

Një aplikacion i dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji nga kompania serbe “Elektrosever D.O.O” vazhdon të mbetet i pa shqyrtuar nga bordi.

Sipas marrëveshjes së energjisë nënshkruar në Bruksel, kompania do të mund të furnizonte dhe faturonte energjinë e shpenzuar në katër komunat veriore të vendit.

Një bllokadë e tillë ka ndodhur pasi nuk janë plotësuar kushtet paraprake.

“Para licencimit të kompanisë është e nevojshme krijimi i kushteve të qasjes në infrastrukturën e transmisionit (KOSTT) dhe shpërndarjes (KEDS), si dhe të dhënat e konsumatorëve. Aplikacioni i kompanisë ‘Elektroserver D.O.O’ është ende në proces të shqyrtimit nga Bordi i ZRRE-së, kur Bordi do ta konsideroj të gatshëm për vendimmarrje do ta vendos në rend të ditës të cilin do ta bëjë publik me kohë”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së

Plotësimi i këtyre kushteve nuk është bërë i ditur se kur synohen të arrihen, andaj dhe aplikacioni nuk po futet në rend dite, pasi nga ai moment afati ligjor për dhënien e një epilogu është 60 ditë.

Por, burime të Shqip.com bëjnë me dije se për këtë janë duke u zhvilluar bisedime në nivelin politikë, pasi zgjidhja është politike.

Licencimi i kësaj kompanie do të mundësonte faturimin e energjisë së shpenzuar nga konsumatorët në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, proces që do të ndodhte për herë të parë mbi dy dekada pas përfundimit të luftës.

Anëtarët e Komisionit për Ekonomi nuk kanë informacione se deri në “çfarë shkalle është trajtimi i kërkesës”

Anëtarët e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, nuk kanë ndonjë informatë pse ende nuk ka filluar shqyrtimi për dhënien e licencës.

Kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala, për Shqip.com thotë se janë duke pritur raportin zyrtar.

“Tani bordi është kompletuar dhe unë pres që në një afat të nevojshëm, të duhur, ta trajtojë dhe besoj që bordi do të thirret për këtë në raportimin para Komisionit. Por, aktualisht nuk kemi informacion se në çfarë shkalle është trajtimi i kësaj kërkese”, tha Shala.

I pyetur se nëse licencimi i kompanisë serbe do të ndikonte në mos-ngritjen e çmimeve të energjisë vetëm për veriun, Shala thotë se për këtë çështje duhet “dhënë llogari Qeveria dhe ZRRE-ja”.

“Konsideroj që është Qeveria ajo që parimisht do ta merrte matjen dhe dinamikën e zhvillimit dhe stabilizimit të sektorit energjetik të Kosovës.

Në kuadër të kësaj, do të duhej që në konsultim me ZRRE edhe pse është e pavarur, parimisht ata tashmë kanë dalë me raporte të përbashkëta për rritjen e tarifave, kështu që është përgjegjësi e ZRRE dhe Qeverisë”, potencoi ai.

Ndërkaq, anëtarja e këtij Komisioni, Mimoza Kusari – Lila pohon se përgjigja e vetme që kanë marrë është se nuk janë plotësuar kushtet e kërkuara.

“Përgjigja ka qenë se ende nuk janë plotësuar të gjitha kushtet për licencim, sipas ZRRE-së. Për shkak të mungesës së qasjes në asete në Veri. Ne si anëtarë të Komisionit nuk e kemi krijuar bindjen se po mund të jetë kjo, d.m.th nuk na kanë jep ndonjë datë në përgjigjen e tyre”, deklaron ajo.

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet të jetë borxhi i katër komunave veriore

Energjia e shpenzuar nga konsumatorët në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, llogaritet të jetë çdo vit rreth 12 milionë euro.

Deri në vitin 2017, borxhi i tyre u është faturuar konsumatorëve në pjesën tjetër të vendit me 3.5 përqind më shtrenjtë.

Por, kjo praktikë u ndalua në vitin 2017, kur edhe Gjykata e Apelit e vlerësoi si joligjore.

Kurse, në prill të 2021-ës është miratuar propozimi i Lëvizjes Vetëvendosjes për autorizimin e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) të shfrytëzojë të hyrat vetanake dhe të paguajë energjinë elektrike në atë pjesë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco